Hundë e thyer dhe sy të nxirë, gjithçka për të debutuar me kombëtaren

Është grumbulluar katër herë me  kombëtaren, por akoma nuk ka debutuar. Niklas Stark pret me padurim debutimin me fanellën e Gjermanisë. Trajneri Joachim Low e ka thirrur edhe këtë herë dhe ndoshta ka ardhur momenti i tij.

Problemi është se përplasja që ka patur në ndeshjen e fundit të kampionatit me Hertha-n e tij rrezikonte “t’i prishte festën”. Pavarësisht hundës së thyer dhe syve të nxirë, Niklas Stark ka vendosur të paraqitet në grumbullim me shpresën për të zbritur në fushë për herë të parë me Gjermaninë.

Dëmtimi është shkaktuar nga një goditje më bërryl që  ai mori në ndeshjen kundër Leipzig. Megjithatë, Stark nuk është tërhequr mbrapa dhe shpreson të luajë në njërën prej dy ndeshjeve që Gjermania do të luajë kundër Bjellorusisë dhe Irlandës së Veriut.

Trajneri Low mund të mbështetet te një lojtar me karakter, i cili nuk dorëzohet para vështirësive. Gjithçka, vetëm për të debutuar me kombëtaren…