”​Mini-Shengeni”, Kurti mesazh Ramës: Nuk nis me Serbinë kjo punë. Nis Kosovë-Shqipëri

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe fituesi i zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, Albin Kurti, takimin trepalësh të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Ohër, e quan të nxituar.

Sipas Kurtit, Shqipëria duhet të priste që të formohej qeveria e re e Kosovës, e jo të nxitohet me takime në Novi Sad e Ohër. Nga ana tjetër, ai thotë se Shqipëria duhet të nisë me Kosovën projekte dhe jo me Serbinë.

”Një lloj vrapi në Novi Sad dhe në Shkup, është gabim në hapa. Nuk nis me Serbinë kjo punë. Nis Kosovë-Shqipëri, vazhdon Kroaci-Bullgari, vazhdon Sarajevë zyrtare, Podgoricë zyrtare, Shkup zyrtar e Beogradi në fund. Sepse i tillë çfarë është ai i pa penduar për luftërat dhe krimet e shkaktuara në luftim të vazhdueshëm me Moskën e Putinit nuk mund të ketë. Rrjedhimisht mendoj që edhe mbledhja e Novi Sadit edhe mbledhja e Ohrit ishin gabim në hapa. Shqipëria zyrtare u ankua se nuk ka pasur qeveri të denjë në Kosovë, për bashkëpunim çfarë ajo ka dashur, e ka qenë e nevojshëm për të gjithë neve. Meqenëse ka pritur Shqipëria zyrtare për një qeveri të denjë të Kosovës shumë vjet, ka mundur të pres edhe pak javë që të formohet kjo qeveri, e të bashkëpunojmë siç dum të gjithë ne. Unë nuk e kuptoj pse kjo nguti, pse ky nxitim me Novi Sad e me Ohër e nesër në Durrës, kur jemi ne prag të formimit të Qeverisë së Kosovës. Nëse kanë pritur shumë vite është dashur të presin edhe pak javë”,- deklaroi Albin Kurti.