Sulmon Vetëvendosje në Tiranë: Çudi si qeveris mazhoranca pa opozitë!

Enis Sulstarova, kreu i Bordit të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE në Shqipëri ka reaguar ndaj sulmeve të mazhorancës. Përmes një tjetër deklarate Sulstarova thotë se është e habitshme se si mund të të quhet “ndërhyrje në punët e brendshme të qytetit” kur aktivistët dhe drejtuesit e Vetëvendosjes në Tiranë janë në fakt shtetas të Shqipërisë dhe banorë të Tiranës.

Më poshtë deklarata e plotë.

Si kryetar i Bordit të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri, më duhet të shpreh shqetësimin për një deklaratë të sotme nga Bashkia e Tiranës.

Bashkiakët ankohen se Lëvizja “ndërhyri në punët e brendshme të qytetit”. Është e papranueshme kjo shprehje, të ankohesh se pse qytetarët shprehin shqetësim për çështjet e qytetit të tyre. Anëtarët e bordit të Qendrës sonë, si edhe shumica dërrmuese e aktivistëve, janë shtetas të Shqipërisë, pjesa më e madhe votues e banorë të Tiranës. Megjithatë, mendojmë se jemi në të drejtën tonë kur shprehemi për çështjet e Tiranës, siç është kushdo që ia do të mirën kryeqytetit. Por duhet shtruar seriozisht pyetja se a është në të drejtën e vet kryetari i partisë që drejton bashkinë e Tiranës, kur merret vesh me Vuçiçin për “marrëveshje rajonale”, në emër edhe të Kosovës?

Nuk shkon kështu, këta na thonë se shqiptari s’paska të drejtë të flasë për Tiranën, kur po të njëjtët ftojnë serbët të flasin për Kosovën, pa Kosovën.

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Tiranë e fton Bashkinë e Tiranës të mos i marrë kritikat si personale, por si institucionale. Në Republikën e Shqipërisë ne jemi të regjistruar si organizatë joqeveritare dhe jofitimprurëse, dhe është shenjë katastrofale kur një forcë politike e cila tashmë qeveris pa opozitë institucionale në nivel qendror e lokal, shënjestron dhe përpiqet t’ia mbyllë gojën edhe organizatave joqeveritare që nuk ia ndjekin avazin.

Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri për çështjet kombëtare do të kërkojë vazhdimisht bashkëpunimin me faktorët politikë, qofshin ata në qeveri apo opozitë. Njëherazi, do të denoncojmë politikat që i shohim si të gabuara. Ne do të jemi të rreshtuar jo pas ndonjë partie, por pas ideve për zhvillim ekonomik, demokraci qytetare e të drejta njerëzore.