Siguria e ashensorëve/ Nga 1 janari të markuar me standardet e BE-së

Më shumë siguri për konsumatorët, zbatim të standardeve europiane nga të gjithë aktorët e tregut për të garantuar shërbim cilësor. Duke filluar nga data 1 janar 2020, të gjithë ashensorët që do të vendosen në shërbim do të duhet të jenë të markuar me certifikatën e sigurisë (CE). Ministria e Financave dhe Ekonomisë, bën të ditur se për të rritur sigurinë e qytetarëve, si dhe për të garantuar përputhjen e plotë me direktivat e BE-së, të gjithë ashensorët që do të hyjnë në tregun shqiptar duhet të jenë të markuar me certifikatën e sigurisë.

Për këtë qëllim Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së tregut zhvilloi një tryezë diskutimi me temë ”Roli i ndërtuesve, importuesve, instaluesve dhe trupave të autorizuar për sigurinë që ofrojnë ashensorët”, me aktorë të tregut privat dhe përfaqësues të organizatave civile që kanë në fokus mbrojtjen e konsumatorëve. Kryeinspektori i ISHMT-së Lavdrim Sahitaj, u shpreh se, legjislacioni shqiptar tashmë është përshtatur sipas direktivave të BE-së dhe për zbatimin e tij do të duhet të angazhohen të gjithë palët e interesit.

”Në zbatim të legjislacionit, që tashmë është tërësisht i transpozuar për ashensorët e rinj që do të vendosen në shërbim nga data 1 janar 2020, lind detyrimi të kërkohet edhe kryerja e ekzaminimit të plotë fillestar për të gjithë ashensorët ekzistues. Ndaj roli juaj si aktorë të tregut është thelbësor në këtë proces, sikundër edhe përgjegjësitë që dalin prej tij”. Ky aktivitet do të pasohet nga takime me grupet e tjera të interesit, siç janë administratorët dhe kryetarët e bashkive, bën të ditur dikasteri i Financave.