Më habisin “analistët e pavarur” që “shqetësohen” pse opozita nuk po bën luftë dhe duan ta kthejnë në organizatë militare

Nga Dritan Kaba

Nuk më habit as dhuna e bandës në pushtet.

Nuk më habit as kryetari i bashkisë që bën triumfatorin, me qëllim të nxisë gjakderdhje dhe njerëzit të mos merren me veprën gjigante korruptive, por me të plagosurit dhe të arrestuarit.

Nuk më habit as Damiani që po pi puro të shoqëruar me një gotë vere, apo konjak, duke soditur dhimbjen e banorëve dhe duke gëzuar triumfin e tij momental.

Më habisin thirrjet e disa nga “analistëve të pavarur” që “shqetësohen” pse opozita nuk po bën luftë dhe duan ta kthejnë në organizatë militare.

Më habisin këta “analistë” që edhe kur bëjnë shurrën i shkruajnë mesazhe pushtetit.

Më habisin këta “analistë” që nëpërmjet gotës së verës shohin zhvillime.

Ky shërbim taxi, për qeverinë, i këtyre palo-mendimtarëve, do vetëm të devijojë atë që është thelbësore, por nuk e thonë: Dhuna po vjen se është grabitja. Dhuna po ushtrohet pikërisht për të detyruar zhvillimin e përplasjes të policëve të thjeshtë me opozitën. Dhuna po ushtrohet për të bërë këta palo gazetarë të komentojnë nga Rogneri si e kapën për fyti Klevisin, Endritin, Flamurin, Petritin apo Palokën. Si shanë dhe turpëruan Floidën, Gridën, Monikën, Dhuratën, Kejdin apo Albanën, dhe pastaj të qeshin me të madhe ha-ha-ha.

Të kenë se me çfarë të shtyjnë verën dhe peshkun e drekës, për të marrë dy rrogat e darkës.

Këta janë ata, që njësoj si hienat sa herë ka gjak diku, shkojnë për të rrëmbyer mbeturinën e radhës nga gostia e përgjakur e pushtetit.

Opozita duhet të deklarohet qartë, ashtu si Klevisi sot në mëngjes, dëmshpërblim për çdo familje dhe çuarjen para drejtësisë të gjithë atyre që urdhëruan, komanduan dhe zbatuan këtë vepër sa korruptive aq kriminale.