BE, sanksione për Turqinë: I lë kohë që të heqë anijet nga bregdeti i Qipros

Bashkimi Europian caktoi një regjim të sanksioneve kundër Turqisë këtë javë, prej shpimit të paautorizuar të gazit dhe naftës në ujërat e Qipros. Ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian miratuan një mekanizëm që do sanksionojë individët apo entet e përgjegjshme për aktivitetet e paautorizuara të shpimit të hidrokarbureve në Mesdheun Lindor.

Autoritetet europiane do të mund të zhvillojnë tashmë një listë të personave dhe kompanive që do mund të sanksionojnë. Zyrtarët europianë nuk dhanë ndonjë afat për caktimin e tyre, duke i dhënë mundësinë Turqisë që të tërhiqet së shpejti.

Megjithatë, Turqia ka argumentuar prej kohësh se aktiviteti është brenda të drejtave territoriale. Nëse aplikohen sanksionet, me shumë mundësi do të shënjestrojnë kapitenët e anijeve të shpimit apo zyrtarët ushtarakë që janë të lidhur me aktivitetin.

Regjimi i sanksioneve shënon një tjetër pengesë në marrëdhënien e Bashkimit Europian me Turqinë. Muajin e kaluar, shtetet europiane ndaluan shitjet e armëve ndaj Turqisë, një vend aleat i NATO, për shkak të ndërhyrjeve në Sirinë Veriore.

Bashkimi Europian kishte aplikuar edhe më parë masa të disiplinës ndaj Turqisë për shpimin e naftës në Qipro, përfshirë reduktimin e ndihmës financiare për vendin në 2020.