Baton Haxhiu: Kur bisedoja me Ramën në zyrë, një dorë e mbante te breshka

Emisioni “Top Story” në “Top Channel” transmetoi sot një dokumentar analitik për historinë e marrëdhënieve mes Edi Ramës dhe Ilir Metës.

Ulje ngritjet e raporteve mes dy figurave politike komentohen dhe nga analisti Baton Haxhiu. Gazetari ka sjellë një detaje nga periudha e grevës së urisë së vitit 2008 të LSI kundër ndryshimeve kushtetuese. Ishte koha kur kreu i LSI, Meta intensifikoi aksionin deri në protesta në rrugë dhe grevë urie brenda sallës së Parlamentit. Ky moment shënoi një çarje të fortë sërish brenda të majtës që pamundësoi bashkimin në një koalicion në zgjedhjet e vitit 2009. Meta akuzonte PD dhe PS për ndryshimet kushtetuese kurse Rama përsëriste me ironi togfjalëshit “miku” im Ilir Meta. “E kam thënë dhe e përsëris, Meta është miku im, dhe jam i keqardhur teksa e shoh përditë e më të mllefosur ndaj Partisë Socialiste duke bërë kësisoj që tek ai Berisha të shoh shpresën e tij të fundit, por ne sidoqoftë do i fitojmë zgjedhjet e 2009”, pat deklaruar Rama në atë kohë kur vet firmosi me Berishën ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe Kushtetutës brenda natës.

Për ketë periudhë Baton Haxhiu thotë se “esenca ka qenë që Rama ka qenë i bindur se zgjedhjet i fiton vetë, ka pasur arrogancë të çuditshme. Kur kam shkuar në zyrë, ka pasur në dorën e majtë breshkën, në dorën e djathtë lapsin, për nja 20 minuta sa ishim vetëm 2-3 herë e ka çuar kokën lart, më tha: unë nuk mund të bëj koalicion me Metën, ai i takon një bote tjetër”