Kuvendi voton sot për dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese

Parlamenti voton sot në limitet e afatit të përcaktuar nga Kushtetuta për të zgjedhur dy anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, për vakancat e shpallura më datë 12 shkurt 2018 dhe për vakancën e shpallur më 4 mars 2018.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i ka dërguar Kuvendit dy listat e renditjes së kandidatëve për dy vendet vakante, më 14 tetor 2019. Ndërkohë, sipas ligjit, Kuvendi duhet të shprehet brenda 30 ditëve për të zgjedhur.

Por më shumë sesa zgjedhje, duket se fati i kandidatëve në dy listat që i janë paraqitur Kuvendit është i paracaktuar. Përse është i paracaktuar? Për 4 vende vakante, dy të Presidentit dhe dy të Kuvendit, janë në garë 6 persona. Arta Vorpsi, Fiona Papajorgji, Elsa Toska, Besnik Muçi, Marsida Xhaferllari, dhe Regleta Panajoti. Të katërt të parët janë kandidatë edhe në listën e Presidentit, edhe në atë të Kuvendit.

Në datë 5 nëntor, Presidenti Meta zgjodhi kandidatin Besnik Muçi nga lista e tij e parë. Muçi aktualisht është anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Po kështu, kreu i shtetit kishte afat për të zgjedhur anëtarin e dytë deri më datë 8 nëntor, por ai nuk u shpreh. Në raste të tilla, ligji për vetëqeverisjen e sistemit të drejtësisë ka parashikuar që të zgjidhë ngërçin, duke u emëruar automatikisht kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Në këtë rast, e para e renditur nga KED-i në listën për anëtarin e dytë nga Presidenti ishte Arta Vorpsi, çka nënkupton se kjo e fundit është tashmë anëtarja e tretë e Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkohë, sot në listën e parë për të zgjedhur kandidatin e parë nga Parlamenti, KED-i ka renditur: 1. Arta Vorpsi 89.642, 2. Elsa Toska 85.428 dhe Besnik Muçi 81.928. Kandidati Muçi u zgjodh nga Presidenti Meta më 5 nëntor të këtij viti, ndërsa Arta Vorpsi mund të themi se u zgjodh automatikisht, për shkak se kreu i shtetit nuk u shpreh. Atëherë, në listën e parë Parlamenti nuk ka alternativë tjetër të zgjedhë, veçse kandidates Elsa Toska. Ndërkohë sipas ligjit, që të quhet procedura, duhen të paktën 3 kandidatë në garë. Se sa mund të quhen garues dy anëtarë, të cilët nuk mund të zgjidhen, kjo mund të interpretohet nga ligjbërësit.

Në të njëjtat rrethana duket se jemi edhe në rastin e zgjedhjes së kandidatit të dytë nga Parlamenti. Në listën e dytë të Parlamentit, KED-i ka renditur: 1. Arta Vorpsi 89.642, 2. Fiona Papajorgji 88.785 3. Elsa Toska 85.428.

Kujtojmë që Vorpsi u emërua automatikisht nga lista e Presidentit, znj. Toska caktohet automatikisht nga Parlamenti në listën e parë. Në këto kushte, kur nga tre kandidatët Vorpsi dhe Toska janë të zgjedhura dhe nuk mund të votohen nga Parlamenti, atëherë automatikisht Fiona Papajorgji është anëtarja e 5-të e Gjykatës Kushtetuese.

• Zëvendësimi i Vladimir Kristos, vakancë e shpallur nga kuvendi
1. Arta Vorpsi 89.642
2. Elsa Toska 85.428
3. Besnik Muçi 81.928
• Zëvendësimi i Bashkim Dedjas, vakancë e shpallur nga Kuvendi
1. Arta Vorpsi 89.642
2. Fiona Papajorgji 88.785
3. Elsa Toska 85.428