Kryeministri Edi Rama i mori të gjitha pushtetet!

-PS ka marrë dje nën kontroll pushtetin më të rëndësishëm në një shtet, që është Gjykata Kushtetuese. Duke shtuar këtu dhe faktin që Prokuroria e Përgjithshme është e PS, Parlamenti i PS, qeveria dhe gjithë pushteti vendor po i PS-së, oligarkët përdorin kryeministrin, mediat i ka blerë e shoqëria civile hesht ndaj rezulton se nuk ka më asnjë pushtet tjetër që i mbetur pa marrë. E megjithatë, e çuditshme mbetet se si ndërkombëtarët vazhdojnë ta përshëndesin këtë kapje të gjithë institucioneve.

Gjykata Kushtetuese duhet të ishte ngritur me kohë. Mungesa e institucionit më të rëndësishëm të gjykatave solli kaosin e 30 qershorit, përkeqësoi situatën politike dhe ka krijuar hapësirë për abuzime dhe vjedhje të frikshme nga ana e qeverisë. Ndaj, nëse ka një vendim që duhet të ishte marrë në kohë rekord nga politika ishte ai për ngritjen një orë e më parë të Gjykatës Kushtetuese. Por emergjenca për të vënë në shinat ligjore institucionet në Shqipëri nuk duhet të përdoret për të hedhur në erë vetë Kushtetutën. Mënyra sesi Kuvendi votoi dje ishte pikërisht shembulli më i keq i funksionimi të shtetit dhe dëmi më i madh që i bëhet, mbi të gjitha, reformës në drejtësi. Deputetët e PS dhe deputetët e asaj që gjasme quhet opozitë votuan dje dy emra të anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese duke shkelur ligjet më të dyja këmbët. Për t’a thjeshtuar atë që ndodhi dje mjaftojmë të kujtojmë se Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë zgjedhin anëtarët e Kushtetueses. Në procedurën aktuale duhet të zgjidheshin 4 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, dy nga kreu i shtetit dhe dy nga Kuvendi. Sipas ligjit, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) që përzgjedh emrat që duhet të caktojnë Presidenti dhe Kuvendi duhet të kishte dërguar 12 kandidatë për këto poste. Në shkelje të plotë të ligjit, KED dërgoi vetëm 4 emra dhe ishin të njëjtat emra që i shkuan Kuvendit dhe Presidentit me vonesë. Në raundin e parë Presidenti zgjodhi një emër, Besnik Muçin dhe sipas ligjit i takonte Kuvendit të bënte përzgjedhjen. Ndërkohë  KED i çon kreut të shtetit sërish të njëjtën listë, sipas renditjes preferenciale, pa u votuar kandidati që duhet të zgjidhte Kuvendi. Presidenti kundërshtoi procedurën dhe në vend të zbatimit të rregullores, KED gjeti një xhep ligjor, sipas të cilit anëtari i parë në listën që i është dërguar kreut të shtetit quhet i zgjedhur edhe pa miratimin e kreut të shtetit. Në këtë mënyrë Arta Vorpsi u shpall fituese pa miratim të Presidentit dhe votim të Kuvendit dhe e fitoi mandatin automatikisht. Kjo është shkelja e parë flagrante e KED dhe institucioneve, pasi në mënyrën më antiligjore vendosën të çojnë drejt Gjykatës Kushtetuese një anëtare pa miratimin e kreut të shtetit. Shkelja e dytë është votimi i djeshëm në Kuvend. Sipas ligjit, Kuvendi duhet të votonte vetëm një kandidat, por në seancë u votuan 2 emra, Elsa Toska dhe Fjona Papajorgji. Në mënyrë të qëllishme Kuvendi nuk votoi emrin e Arta Vorpsit duke i hequr kushte të drejtën kreut të shtetit për të zgjedhur në raundin pasardhës. Por ky nuk është skandali i vetëm i emrave që u votuan nga Kuvendi. Vetë renditja në listën e KED ishte më shumë se e jashtëligjshme. Dy anëtaret e reja të Gjykatës Kushtetuese, Arta Vorpsi dhe Elsa Toska nga KED vlerësoheshin me nota maksimale në profesion dhe ishin renditur të parat për votim nga Presidenti dhe Kuvendi. Ndërkohë të dhënat publike tregojnë se Vorpsi dhe Papajorgji nuk kanë arritur fitojnë pikët e duhura për të hyrë në Shkollën e Magjistraturës. Pra, anëtaret e reja të Kushtetueses nuk kanë marrë pikët për t’u klasifikuar si magjistratë. Qëllimi i testimit që u bë për juristët e rinj në vitin 2018 ishte që pasi të futeshin në shkollën e magjistraturës të mund të shërbenin më pas në institucionet e reja të drejtësisë. Por lista e hartuar nga KED dhe kryetari i saj, Ardian Dvorani nuk ka marrë parasysh ketë e në mënyrë të çuditshme i propozuan për në krye të piramidës së drejtësisë. Sigurisht, zonjat që fituan kanë përvojë si këshilltare në Gjykatën Kushtetuese, por nuk kanë marrë provimin sipas rregullave të përcaktuara nga vet ligjet e reformës në drejtësi. Vendimi i djeshëm i Kuvendit është i pashembullt për nga shkalla e shkeljeve ligjore dhe Kushtetuese. Në presionin e vonesës 3 vjeçare të reformës në drejtësi edhe ambasadat kryesore në Tiranë dje heshtën për shkeljet e rënda dhe përshëndetën votimin e Kuvendit të PS dhe deputetëve të blerë. Qëllimi i ndërkombëtarëve për të mos pasur më vonesa me reformën është i kuptueshëm, por qytetarët kanë të drejtë të pyesin sot, çfarë drejtësie do të jetë kjo, kur emërohet me padrejtësi? Çfarë garancish kemi nga një Gjykate Kushtetuese që do e marrë detyrën në shkelje plotë të Kushtetutës? Problemi është më i rëndë sesa kaq, sepse këta anëtarë që u zgjodhën pa kriteret e duhura, por vetëm me bekimin politik të Rilindjes, janë të kompromentuar në çdo vendimmarrje. Kur nuk respektuan kriteret ligjore që në nisje të mandatit, çfarë kriteresh kushtetuese dhe parimesh ligjore do respektojnë më vonë? Janë një sërë pyetjesh që megjithë përshëndetjen e ambasadave sërish mbeten dhe kërkojnë përgjigje. Shpejtësia për të zgjidhur ngërçin e reformës po prodhon ngërçe të tjera që do zgjasin shumë me tepër se problemet e sotme.

Votimi i djeshëm ka dhe një elementë tjetër që duhet të shqetësojë qytetarët dhe ndërkombëtarët. Emra që u zgjodhën, nga fakti që u sponsorizuan nga Rilindja dhe u zgjodhën në mënyrë jo të rregull prej saj, janë garanci për qeverisjen e Edi Ramës. Në këtë mënyrë, PS ka marrë nën kontroll pushtetin më të rëndësishëm në një shtet, që është Gjykata Kushtetuese. Duke shtuar këtu dhe faktin që Prokuroria e Përgjithshme është e PS, Parlamenti i PS, qeveria dhe gjithë pushteti vendor po i PS-së, rezulton se nuk ka më asnjë pushtet tjetër që i mbetur pa marrë. E megjithatë, ndërkombëtarët vazhdojnë ta përshëndesin këtë kapje të gjithë institucioneve.

Ka mbetur vetëm presidenca, por edhe asaj i është sulur me të gjitha forcat.

Mili Xhani