Banorët e Astirit roje me turne gjatë natës: Do na shemben shtëpinë në 5 të mëngjesit

Banorët e Astirit janë të vendosur që të mos lejojnë shembjen e shtëpive të tyre. Ato shprehen se kanë marrë informacione se IKMT do të nisë shembjen e banesave rreth orës 4:00-5:00 të mëngjesit dhe për këtë arsye kanë vendosur që të flenë jashtë në mënyrë që të mos “gjenden të papërgatitur” dhe sapo të shikojnë lëvizjen më të vogël të mobilizohen që t’i ndalojnë.

Ato sot kanë marrë njoftimin e fundit që duhet të lënë shtëpinë, por e kanë kundërshtuar sërish duke bërë rezistencë, me argumentin se projekti i Unazës së Re është i korruptuar. Madje, sot banorët i kanë dërguar një letër të ngarkuarës me pune, Leyla Moses ku i kërkojnë që të ndërhyjë dhe të ndalojë shembjen e këtyre banzesave.

Të revoltuar banorët janë shprehur se do të mbrojnë shtëpitë e tyre.

Një nga banorët tha se nëse nuk bëhet anulimi i këtij projekti, do përballen ashpër me autoritetet.

Ndërkohë përmes një postimi në rrjetin social ‘Twitter’, sot në mesditë kryetari i bashkisë Erion Veliaj tha se një pjesë e banorëve të Astirit kanë marrë paratë për ndërtimet që ata kanë pasur pa leje, si dhe disa të tjerë kanë përfituar nga 1-3 apartamente.

Mirëpo, Mapo kontaktoi me banorët e Astirit, të cilët sonte dolën në protestë urgjente te ‘Sheshi Shqiponja’, pasi u lajmëruan se do të ketë ndërhyrje në orët e para të mëngjesit, për të prishur objektet e tyre.

Një nga banorët e ‘Unazës së Re’ tha për gazetën Mapo se deklarata e Veliajt nuk është gjë tjetër veçse propagandë, dhe se asgjë nuk është e vërtetë.

“Ky pallati në foto është këtu afër, dhe ne e dimë se ai nuk i ka dhënë asgjë banorëve aty. Kjo është propagandë e pastër. Veliaj mashtron! As banorët që kanë pasur tokë s’kanë marrë gjë. Ne momentalisht jemi në protestë te “Sheshi Shqiponja” dhe do e gdhijmë këtu, pasi kemi informacione se në orën 04:00 të mëngjesit do ketë ndërhyrje”, shprehet J.SH.

Prej më se një viti, ato kanë protestuar kundër këtij projekti që parashikon zgjerimin e rrugës, për pasojë shembjen e banesave të tyre.