Amaneti kryeministror për aksidentet rrugore, çfarë duhet të bëjë Shqipëria

Më 17 shkurt të vitit 2014, Matteo Renzi, ish-Kryeministri i Italisë, ndërsa linte Firencen, qytetin e tij të lindjes, aty ku prej vitesh jetonte dhe punonte mori rrugën për në Romë si shef i qeverisë. Por, para se të betohej si kryeministër la një porosi për drejtuesit vendorë të Firences në një takim që pati me ta.

Sipas tij “një qytet nuk është i denjë për këtë emër, nëse nuk i kushtohet temës së sigurisë rrugore”. Dhe këtë e tha në një qytet ku respektohet çdo sinjalistikë, çdo drejtues mjeti as e mendon të shkelë ndonjë pikë të Kodit Rrugor dhe sigurisht ku çdo qytetar e njeh shumë mirë çdo të drejtë të tij.

Ne kemi kopjuar nga Italia dhe vende të tjera plot gjëra dhe ua kemi shtuar atyre që trashëgojmë si komb, por mënyrën sesi drejtojmë mjetet tona, apo mënyrën sesi jepen patentat në Shqipëri, as e kemi “vënë ujin në zjarr” ta kopjojmë dhe zbatojmë në Shqipëri.

Me pak fjalë, nuk kemi dashur të marrim referime nga përtej Adriatikut për një problematikë që na është shfaqur jo pak herë e ku janë regjistruar mijëra viktima, duke bërë që krahasuar me vendet e Bashkimit Europian në Shqipëri të ndodhë dyfishi i aksidenteve automobilistike, jo vetëm në raport me numrin e popullsisë, por edhe me numrin e automjeteve që janë në qarkullim.

Dhe nëse u referohemi shifrave, çdo vit, për çdo një milion banorë në Shqipëri, raportohen se humbasin jetën në aksidente automobilistike 120 shtetas, ndërkohë që në vendet e Bashkimit Europian humbasin jetën në aksidente automobilistike 40 deri në 60 shtetas.

Shqipëria përballet me një sfidë të madhe për sa i përket garantimit të sigurisë më të lartë të rrugëve në rajon. Kjo sfidë është veçanërisht e vështirë në një mjedis me zhvillim të shpejtë ekonomik, i cili do të çojë në rritjen e transportit rrugor.

Siguria rrugore është një përparësi në Shëndetin Publik dhe zhvillimin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, prandaj dhe humbjet e papranueshme të shëndetit janë të lidhura me ndikimet negative ekonomike dhe sociale të ndodhura në rrjetet rrugore të tyre.

Në mënyrë që shtimi i udhëtimeve të mos çojë në rritjen e numrit të aksidenteve, duhen marrë masa efektive në lidhje me një sërë aspektesh të sigurisë rrugore, siç janë: përgatitja dhe testimi i drejtuesve të mjeteve, kontrolli i mjeteve për drejtim të sigurt, sjellja e përdoruesve të rrugës dhe siguria e infrastrukturës rrugore.

Ekspertët rrugorë në të gjitha takimet me patrullat e qarkullimit rrugor në vend shprehen se siguria rrugore është një problem kompleks e shumësektorial dhe askush nuk do të mund të arrijë i vetëm zgjidhjen e problemeve të sigurisë me të cilat do të përballet vendi ynë në vitet në vazhdim.

Dhe duket se kjo është e drejtë, por a duhet të presim që të merren masa për ata që do të marrin patentat dhe të forcojmë legjislacionin për këta, ndërsa shumë të tjerë që e kanë marrë janë çdo ditë rreziku numër një në rrugët e Shqipërisë?!

Ndaj, ndoshta nuk do të ishte teprim, nëse Policia duhet të zhvendoset nga zonat urbane dhe të ushtrojmë kontrolle të rrepta edhe në akset nacionale, sepse vetëm kështu, nuk do t’i ndalnim aksidentet, por të paktën do parandaloheshin deri diku. Dhe si për koicidencë për aq kohë sa Renzi ishte shef i qeverisë në qytetin e tij të lindjes nuk pati asnjë aksident…!