22 nëntor 2019, 60 vite gjimnazi “Asim Vokshi”

Tash 60 vjet gjimnazi “Asim Vokshi ” pret e përcjell breza nxënësish e mësuesish duke ua lënë atyre në dorë të shkruajnë historinë e tij.

Nga Shote Basha*

22 nëntor 2019. Ka plot përvjetorë, plot festa, ka plot gëzime, por të festosh përvjetorin e fillimit të hapjes së dijes e kulturës së një populli është një eveniment i madh.
Ndaj një ditë e tillë meriton te mbetet e paharruar. Le të vijnë të gjithë: ish-nxënës, ish-mësues pa dallim, se është festa e një gjimnazi që ka lënë gjurmë në historinë e kulturës sonë. Si rrallëherë qyteti i Bajram Currit do të festojë përvjetorin e 60 të hapjes së gjimnazit që nga matura e parë, studenti i parë, mësuesi i parë.
Këtu nisi rrugëtimi i bukur i dijes, këtu u arsimuan breza të tërë nxënësish, bij dhe bija tropojane që nga viti 1959 deri në ditët e sotme, për plot 60 vite. Mbi 6730 nxënës kanë kaluar në bankat e gjimnazit “Asim Vokshi” drejtuar nga mbi 250 mësues mbi 1000 nxënës me mesatare mbi 9- të, 2000 nxënës vijuan studimet e larta.
Ky gjimnaz mbetet pikënisja e zhvillimit te Tropojës, zanafilla e intelektualëve më në zë, që i kanë dhënë ton jetës së vendit. Nxënës të shkëlqyer në gjimnaze, nxënës të shkëlqyer në universitete, por edhe nxënës me një fuqi e temperament të jashtëzakonshëm, kudo ne auditorët që kanë shërbyer.
Ekselentë në gjimnaze, ekselentë në universitete, sot janë kudo në gjithë Shqipërinë, me detyra të larta dhe biznese të suksesshme, në Evropë SHBA, në qendrat më në zë të shëndetësisë, në sistemet bankare e financiare, në sistemet energjetike e kompjuterike.
Ti gëzohemi kësaj dite të veçantë, ndaj takohemi në oborrin e shkollës me 22 nëntor 2019 ora 8 e 30.
*Drejtore e shkollës “Asim Vokshi” në Bajram Curri