Grindjet për pikët në Këngën Magjike, Anxhela Peristeri: Është inati i pafytyrësisë

Anxhela Peristeri konkurron këtë vit në Këngën Magjike me “Dikush i Imi”.

Vetëm dy vite më parë ajo u shpall fituese e vendit të parë.

E ftuar në emisionin “Why Not” në RTV Ora, këngëtarja komentoi grindjet mes artistëve për mënyrën e votimit në festival.

Anxhela tha se formula e votimit krijon hatër mbetje. Por u shpreh se nuk i vjen inat që merr zero pikë, por me këngëtarët që vlerësojnë punën duke i thënë se do fitojë por më pas nuk i japin asnjë pikë.

Ndërkohë shtoi se formula e re e votimit ku do jetë pjesë edhe juria e publiku është një lloj ndryshimi pasi barra nuk do i bjerë vetëm artistëve.

Anxhela Peristeri: “Është viti i 6-të që marr pjesë në Këngën Magjike. Është e vërtetë që kjo lloj formule votimi krijon hatër mbetje, jo më shumë për faktin pse më dhe mua zero e pse të dhashë unë 2. Por ka disa njerëz që të thonë e ke këngën shumë të bukur, bravo do fitosh pastaj sheh që të ka dhënë zero. 

Të vjen më shumë inati i pafytyrësisë. Megjithatë unë për veten time nuk jam mërzitur ndonjëherë nga zerot që kam marrë sepse edhe unë kur kam fituar çmimin e parë kam marrë dy zero, që ishte një këngë që dukej se nuk mund të jepje 0 pikë. 

Kurse këtë herë ka ndryshuar pak formati, do votojë juria edhe publiku. Kështu që do ketë një lloj ndryshimi në votim. Nuk do i bjerë barra vetëm artistëve. Por edhe ashtu siç ka qenë më përpara është demonstruar që këngët më të bukura kanë dalë në finale.”