VV marshim më 28 nëntor: Bashkim kauzash drejt integrimit kombëtar

Këtë 28 Nëntor të Pavarësisë, Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri fton të gjithë qytetarët të marrin pjesë në një marshim në Tiranë, në ora 12:00, nga Monumenti i ”Gjergj Kastriot Skënderbeut” te monumenti i “Adem Jasharit”.

“Heronjtë kombëtarë nderohen jo thjesht me lule dhe ceremoni, por kur ne njëmend ecim në rrugën që ata kanë shtruar. Ne do të ecim në rrugët e kryeqytetit për të bashkuar kauzat dhe vullnetet, njerëzit dhe zemrat, kundër padrejtësive dhe pabarazive ekstreme, për të kërkuar hapa konkretë për integrimin kombëtar për zhvillim e drejtësi, drejt bashkimit për progres dhe siguri, për emancipim”.

Për Vetëvendosjen, Pavarësia pa sovranitetin e brendshëm fillon t’i përngjajë një guaske të boshatisur. “Tre dekadat e pluralizmit në Shqipëri janë karakterizuar shpesh nga papjekuria dhe makutëria politike sa i përket çështjes kombëtare, demokracisë dhe rolit të shtetit në raport me shoqërinë e me zhvillimin ekonomik. Pushteti politik shpesh e ka dorëzuar dhe privatizuar publiken, duke rrudhur sovranitetin, e nganjëherë është bërë njësh me klane e oligarkë që kanë monopolizuar e kartelizuar ekonominë kombëtare”.