Shërbim 24 orë për urgjencat pediatrike tek 3 qendra

Tre qendra shëndetësore në Tiranë ofrojnë shërbim pa ndërprerje për urgjencat pediatrike. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu shprehet se nuk është më e nevojshme që prindërit të çojnë fëmijët në spital në orët e natës për çdo lloj problemi shëndetësor sepse tashmë qendrat shëndetësore nr 7, 8 dhe 10 në Tiranë mund të ofrojnë shërbim të plotë shëndetësor 24 orë në 24.

Shërbim cilësor, pa vonesa, pranë mjekut pediatër të fëmijës tuaj, pa patur nevojë të shkoni në pediatrinë e QSUT. 3 qendra shëndetësore në Tiranë po ofrojnë shërbim 24 orë në 7 ditë të javës për fëmijët. Qendra shëndetësore nr. 8 në zonën e ish-Bllokut, qendra shëndetësore nr.10 në zonën e Oxhakut dhe qendra shëndetësore nr.7 në Laprakë”.

Manastirliu e cila vizitoi një prej këtyre qendrave, që ndodhet në zonën e ish-Bllokut, tha se ky shërbim që ofrohet tashmë që prej muajit shtator do të zgjerohet edhe më tej, si në qendrën shëndetësore të Kombinatit.