Prokuroria: Dosja e Bashës akoma e pa mbyllur

Dje u tha se prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjykatë Lulzim Bashën dhe dy drejtues të tjerë të PD, jo për “financime ruse”, por për fallsifikim vule!

Sapo u mor vesh se akuza e PS ndaj liderit opozitar Basha u rrëzua po nga prokuroria e kryeministrit, reaguan ashpër Taulant Balla dhe disa eksponentë të qeverisë.

Sot del varianti tjetër se gjoja njëri prej tre prokurorëve të dosjes Basha, Kol Hysenaj, nuk është vënë në dijeni nga dy prokurorët e tjerë të çështjes për vendimin e marrë në lidhje me përfundimin e hetimeve.

Për këtë arsye, në letrën që prokuroria e Tiranës i dërgoi selisë së Partisë Demokratike, firma e prokurorit Hysenaj mungonte, krahas atyre të Gjergji Takos dhe Ervin Karanxhes.

Drejtuesja e prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, e pyetur nga Top Channel se çfarë ka ndodhur se se si veprohet në këtë raste tha:

“Dy nga tre prokurorët e dosjes Basha, do ju duhet të arsyetojnë në mënyrë të shkruar se çfarë rrethanash ndikuan në ndryshimin e qëndrimit nga ana e tyre, duke qenë së është e njëjta gjendje e akteve që nga moment që e kanë marrë z. Basha në cilësinë e të pandehurit në qërshor të vitit 2019”, shprehet Elisabeta Imeraj.

Karanxha dhe Tako, do të duhet të shpjegojnë edhe bazën ligjore të mosnjoftimit të kolegut të tyre Hysenajt.

“Së dyti, dy nga tre prokurorët duhet të shpjegojnë se me çfarë baze ligjore kanë mënjanuar nga dosja prokurorin e tretë, duke mos i bërë me dije veprimet që po kryheshin dhe pse duhej bërë kjo, pa ndërmarrë asnjë veprim procedurial”, ka thënë Imeraj.

Tashmë, çështja është në dorë e vet Elisabeta Imerajt për zgjidhjen e situatës.

“Së treti, Drejtuesi i Prokurorisë ka të drejtë dhe detyrë të ndërhyjë me anë të udhëzimeve për zgjidhjen e situatës dhe verifikimin e vlefshmërisë së veprimeve të prokurorëve Karanxha dhe Tako”, shton Imeraj.

Akoma nuk del e qartë nëse e kanë mbyllur akuzën “për financime ruse” apo do ta rikthejnë prapë për hetim me tjetër grup prokurorësh.