Policia në ”këmbë” gjatë natës, heq 14 patenta: Kujdes nga shpejtësia skëterrë

Në vetëm pak orë, Policia Rrugore ka pezulluar 14 patenta në aksin Sauk-Teg. Sipas policisë në radarë janë shënuar shpejtësi marramendëse me të cilët lëviznin shoferët, ku varionte nga 140 km/h deri në 173 km/h në aksin rrugor Sauk-Teg.

Aksi rrugor Sauk-Teg është një segmentet rrugore më problematike për sa u përket aksidenteve por përsëri kjo nuk i ndalon shoferët që të ecin me shpejtësi tej normave të lejuara. Për të parandaluar aksidentet dhe për të marrë masa ndaj shoferëve të papërgjegjshëm që kryejnë shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, policia rrugore ka qenë e pranishme me patrulla në këtë segment rrugor.

Sipas njoftimit të policisë në vetëm 180 minuta kontroll me radar duke i monitoruar nga mbikalimi u konstatuan 14 raste te shpejtësisë tej normave te lejuara qe varionin nga 140 km/h deri ne 173 km/h. Këtyre personave u është hequr pantenta por megjithatë janë kthyer pranë familjes shëndoshë e mirë. Në fund të njoftimit policia ka dhënë edhe disa këshilla të vlefshme për të gjithë drejtuesit e mjeteve.

“Stop shpejtësisë fluturuese para se aksidenti t’iu ndalojë juve. Gjithmonë kujtoni: Qarkullojmë më ngadalë për të jetuar më gjatë. Drejto automjetin duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugorë; dikush po pret në shtëpi. Bindjuni policisë rrugore; ndiqni rregullat e trafikut për të shmangur aksidentet. Jeta është e shtrenjtë, mbrojeni atë”.