Intervistë/Spaho: Europa mbështet Bundestagun gjerman për zgjedhje të parakohshme

Nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho në një intervistë për “Koha Jonë”: Propozimi i PS-së është që ti varen ujkut mëlcitë në qafë. Sesi vepron me administratën publike e gjeni në raportin e OSBE/ODIHR

Intervistoi: Redjon Shtylla

Komuniteti ndërkombëtar mbështet zgjidhjen e propozuar nga Bundestagu gjerman, i cili midis të tjerash ka propozuar miratimin e Reformës Zgjedhore dhe zbatimin e saj, që do të thotë zgjedhje të parakohshme”. Në një intervistë për “Koha Jonë”, nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho, jep këtë paketë për zgjidhjen e krizës politike. Teksa ka analizuar lëvizjet e PD-së në këto 10 muajt e fundit, Spaho pohon se opozita ka si qëllim që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, duke lënë protestat për një moment tjetër. Nga ana tjetër, nënkryetari i PD-së i bën thirrje qeverisë që të ndërpresë këtë rrëshqitje drejt humnerës sa më parë që të jetë e mundur, “që ekonomia të mos falimentojë, ti jepet fund largimit masiv të qytetarëve nga vendi dhe të ngrihen institucione të cilat të garantojnë demokraci, shtet ligjor dhe prosperitet për të gjithë”.

Opinioni por edhe zëra brenda PD, pas dështimit të qeverisë për çeljen e negociatave, shprehen se opozita duhet të kishte vijuar me protesta masive si mjet presioni ndaj qeverisë. Si ju përgjigjeni atyre që e shohin heqjen dorë nga protesta si dobësi të opozitës? Ndërprerja e protestave, mendoni se e largoi opozitën nga mijëra qytetarë të cilët protestuan kundër qeverisë “Rama 2”?

Që nga muaji shkurt 2019, pas publikimit të përgjimeve të cilat vërtetonin katërciperisht manipulimin e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017, opozita është angazhuar në një aksion të pandërprerë për ti garantuar vendit zgjedhje të lira e të ndershme. Aksioni ynë njohu veprime të forta si lënia e mandateve të deputetëve, protesta masive kombëtare si dhe mospjesëmarrja në zgjedhjet vendore. Objektiv i këtij aksioni ishte dhe mbetet zgjedhje të parakohshme me një qeveri tranzitore pa Ramën kryeministër. Aksioni i opozitës synonte ndërgjegjësimin e opinionit kombëtar dhe ndërkombëtar për nevojën e ndryshimeve demokratike në vend, në kushtet kur qeverisja është kriminalizuar dhe ka kapur në bashkëpunim me krimin e organizuar dhe oligarkinë, të gjitha pushtetet në vend dhe i përdor ato për intersat e saj okulte.

Rezultat i aksionit të ndërmarrë deri në fund të muajit qershor, në planin e brendshëm ishin kompaktësimi i anëtarësisë së PD-së dhe rreshtimi masiv i saj për të arritur objektivat e vendosura. Qytetarët shqiptarë vlerësuan aksionin opozitar dhe u rreshtuan krah saj dhe vazhdojnë të mbështesin atë. Kjo u evidentua në pjesëmarrjen masive në protesta si dhe në kalimin e opozitës në forcën e parë politike në të gjitha sondazhet e zhvilluara. Sikurse e dini, në se zgjedhjet zhvillohen sot, opozita fiton 82 mandate në Kuvend. Votimet moniste të 30 Qershorit 2019, vërtetuan që Rama dhe ekipi i tij nuk zhvillojnë dot zgjedhje të lira e të ndershme. Pavarësisht se konkuruan të vetëm në të gjithë bashkitë e vendit, ata nuk i shpëtuan dot tundimit për të manipuluar rezultatin, përdorimit të administratës publike, përdorimit të resurseve shtetërore, bashkëpunimit me policinë, krimin e organizuar dhe parave të tij. Qytetarët e abandonuar Ramën duke marrë pjesë vetëm 15% në votime.

Në arenën ndërkombëtare, raporti i OSBE/ODIHR për votimet e 30 Qershorit konfirmoi qëndrimin e opozitës duke i cilësuar ato jo në interes të qytetarëve, moniste dhe të kontrolluara tërësisht nga Rilindja. Pas këtij raporti, Bundestagu gjerman pranoi krizën politike në Shqipëri dhe renditi 9 kërkesa të cilat duhet të plotësoheshin jo vetëm për të hapur negociatat me BE-në por edhe për të kapërcyer krizën e thellë politike. Sot kriza që po kalon Shqipëria në aspektin politik, kushtetues, ligjor, shoqëror dhe ekonomik është pranuar nga të gjithë partnerët e huaj përfshirë amerikanët, gjermanët, italianët, francezët e të tjerë. Komuniteti ndërkombëtar mbështet zgjidhjen e propozuar nga Bundestagu gjerman, i cili midis të tjerash ka propozuar miratimin e Reformës Zgjedhore dhe zbatimin e saj, që do të thotë zgjedhje të parakohshme. Opsioni i protestave asnjëherë nuk është lënë pasdore. Opozita deri në mes të muajit tetor dha kontributin e saj për të bërë të mundur hapjen e negociatave, të cilat për fat të keq nuk u hapën për mosplotësim të kushteve nga qeveria. Sot ne jemi angazhuar për të dhënë kontribut në hartimin dhe miratimin e Reformës Zgjedhore, e cila konsiderohet nga OSBE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë si kusht themelor për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.

Ne po ndjekim zhvillimet politike me vëmendje të madhe. Opozita mblidhet vazhdimisht dhe vendos mbi hapin e rradhës që duhet marrë. Këtë do të bëjmë edhe gjatë javëve të ardheshme. Qëllimi është që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme në përputhje me deklarimet që kemi bërë në muajin shkurt dhe ne do e arrijmë këtë objektiv pasi edhe ndërkombëtaret e shohin këtë si të vetmen mundësi për të kapërcyer krizën politike. Mjaft t’iu kujtoj raportin e Këshillit të Europës të publikuar tre ditë më parë, i cili shihte përfundimin e Reformës Zgjedhore dhe zgjedhjet e parakohshme, si të vetmin mjet për të kapërcyer krizën politike.

Debati politik këto ditë është përqendruar tek Reforma Zgjedhore. Në situatën në të cilën ndodhet vendi me krizë parlamentare, kushtetuese, etj, a nuk duket luks i tepërt që politika të merret për disa muaj vetëm me ndryshimin e ligjit elektoral?

Shqipëria mund të shkonte në zgjedhje të lira dhe të ndershme edhe me legjislacionin aktual por mungon vullneti politik nga Edi Rama. Për rrjedhojë ndryshimi dhe përmirësimi i kodit zgjedhor dhe ligjeve të tjera të cilat do të kufizonin shitblerjen e votës, përdorimin e kontigjenteve kriminale dhe paratë e gjeneruara nga aktivitetet e tyre, përdorimin e resurseve shtetërore në zgjedhje, përdorimin e administratës publike, policisë, financimin e partive politike dhe rekomandime të tjera të dhëna në raportet e OSBE/ODIHR, si dhe marrjen në përgjegjësi penale të atyre që kanë futur duart në zgjedhjet e viteve 2016 dhe 2017, përbërjnë një domosdoshmëri. Opozita ka shprehur gadishmërinë që me gjithë potencialet që disponon, të kontribuojë në hartimin e kësaj reforme dhe këtë po e bëjmë për çdo ditë.

Sa garanci ka opozita që nëse bëhen ndryshimet elektorale vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme? Si do të arrini ju tek ky vendim?

E theksova më sipër që me përjashtim të Edi Ramës, të gjithë faktorët e brendshëm dhe të jashtëm shohin si të vetmen zgjidhje për kapërcimin e krizës së thellë që ka kapur vendin zgjedhjet e parakohshme, të paraprira nga miratimi i reformës zgjedhore. Ne i jemi përgjigjur thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar dhe po japim kontributin për hartimin e reformës dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme vitin e ardhshëm. Ne po ndjekim situatën me vëmëndje dhe do i përgjigjemi çdo zhvillimi me mjetet e nevojshme. Është në interes të vendit në rradhë të parë, që të ndërpritet kjo rrëshqitje drejt humnerës sa më parë që të jetë e mundur, që ekonomia të mos falimentojë, ti jepet fund largimit masiv të qytetarëve nga vendi dhe të ngrihen institucione të cilat të garantojnë demokraci, shtet ligjor dhe prosperitet për të gjithë.

Si e lexoni propozimin e PS, që administrimin e zgjedhjeve ta bëjnë punonjësit e administratës publike?  A kemi të bëjmë me depolitizim të trupës që administron zgjedhjet por në të vërtetë, ruajnë kontrollin e plotë të kryeministrit në këtë proces?

Propozimi i PS-së është që ti varen ujkut mëlcitë në qafë. Sesi vepron PS-ja me administratën publike e gjeni në raportin e fundit të OSBE/ODIHR, si dhe në përgjimet e publikuara nga gazeta Bild. Ne nuk do të pranojmë kurrë reformë sa për ti hedhur hi syve dhe për të mbajtur Rama kontrollin mbi zgjedhjet. Kemi dhënë propozimet tona për këto çështje dhe presim qëndrim realist dhe konstruktiv nga maxhoranca nëse vërtet ata janë të interesuar që vendit ti jepet një Reformë Zgjedhore afatgjatë.

Ditët e fundit në vend ka pasur një sërë ngjarjesh kriminale, si ajo e Prokurorit të Durrësit, ku lidhjet mes qeverisë duken më qartë se kurdo herë tjetër. Kryeministri  në vitin e 7-të të qeverisjes, thotë se shumë shpejt do të nisë luftë frontale ndaj krimit. Më këtë nivel kriminaliteti dhe ndërhyrje të krimit me strukturat qeverisës, a nuk ndjehet e rrezikuar opozita dhe në zgjedhjet e radhës?

Ngjarjet kriminale për të cilat flisni, janë shprehje e kriminalizimit të thellë të qeverisjes dhe të lidhjes së pandashme të interesave të botës së krimit dhe oligarkisë me drejtuesit më të lartë të maxhorancës. Askush nuk pret që kjo gjendje të zgjidhet me përrallat që premton Rama, pasi ai është autori i krijimit të kësaj gjendje dhe përfituesi i parë nga kjo. E vetmja gjë që i mbetet është të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, me një qeveri tranzitore, të pa lidhur me krimin e organizuar dhe oligarkët. Ne do të bëjmë çdo gjë që mundemi për ti arritur këto.

Ballkanit i është premtuar prej 20 vitesh Integrim i plotë në BE por ky premtim është shtyrë nga viti më vit. Pas refuzimit për çeljen e negociatave, duket se janë kthyer kërcënimet nga vende që mund të na kanosin me influencë nga Rusia, Kina Turqia. Si e shihni ju situatën dhe a po përdoren influencat nga politika?

Dështimi i procesit të Integrimit Europian, është përgjegjësi e përbashkët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë përgjegjëse që nuk realizuan reformat e nevojshme dhe të kërkuara për tu bërë pjesë e Europës dhe në vend të tyre ndërtuan demokraci fallco dhe regjime autoritare. Vendet e Bashkimit Europian dhe veçanërisht burokratët e Brukselit, janë përgjegjës pse pranuan të shesin si proces integrimi atë që në të vërtetë i shërbeu mos integrimit të këtyre vendeve.

Pranuan të shesin politikat autoritariste, lidhjet me botën e krimit dhe shkatërrimin e zgjedhjeve si politika demokratike, vënien e ekonomisë në shërbim të oligarkisë e korrupsionin si ekonomi tregu, kapjen e mediave, pronës private, shoqërinë civile, mbylljen e gojës ti paraqesin si format më të larta të të drejtave të njeriut. Integrimi europian i vendeve dhe popujve të Ballkanit Perendimor, është interes i tyre strategjik por edhe interesi më i mirë i Bashkimit Europian.

Këto të fundit, duhet ti rikthehen parimeve bazë nga i cili nisi procesi i Integrimit Europian dhe të bëjnë vlerësimin e progresit të çdo vendi mbi bazën e meritës. Nëse në Ballkanin Perëndimor do kryhen reforma të vërteta që forcojnë demokracinë dhe shtetin ligjor, ekonominë e tregut e të drejtat e njeriut dhe vlerësimi i tyre do bëhet objektiv dhe mbi bazën e meritës. Bashkimi Europian veçse do forcohet e bëhet më i fuqishëm nga shtrirja në Ballkanin Perendimor. Çdo qëndrim tjetër jo vetëm shpreh konfuzion por edhe mungesën e aftësisë për të parë përtej politikës së ditës.