Çmenduria e institucioneve shqiptare, i kërkojnë të vijë në Shqipëri qytetarit të burgosur në Greqi

Burokracia e institucioneve shqiptare është një fenomen që njihet, por në rastin e një qytetari nga Lezha duket se sorollatjet dhe paaftësia e sistemit të drejtësisë ka arritur kulmin.

Aurel Dodaj, 33 vjeç, në vitin 2016 teksa ndodhej në Himarë si i punësuar sezonal është përfshirë në një konflikt me punonjës civilë të policisë. Sa bashku me disa persona të tjerë, të rinjtë u përplasën me policët civilë, të cilët pavarësisht se janë zyrtarë të shtetit, për rastin në fjalë as janë prezantuar si punonjës të forcave të rendit dhe as treguan dokumente identifikues.

Pas verifikimeve formale i riu u largua nga Himara. Por incidenti që nisi për shkak të mungesës së profesionalizimit të forcave të rendit përfundoi në gjyq. Gjykata u dha të drejtë vetëm punonjësve të policisë dhe nuk mori parasysh asnjë provë dhe faktet që sollën personat që u përfshinë në incident. Për pasojë, Aurel Dodaj, së bashku me 4 persona të tjerë u dënuan. Vendimet e gjykatës variojnë për të pesë personat nga 3 vjet burg, deri në 1 vit. Pas aplikimit të uljes së dënimit, për shkak se personat në proces nuk paraqisnin rrezikshmëri shoqërore, gjykata e uli dënimin për Aurel Dodajn në 8 muaj burg, i cili u konvertua në shërbim prove. Gjë që do të thotë se 33-vjeçari duhet të paraqitet çdo javë në Drejtorinë e Shërbimit të Provës në Lezhë dhe nuk duhet të largohet nga Shqipëria. Gjyqi përfundoi në nëntor të vitit 2018 dhe që nga ajo kohë Drejtoria e Shërbimit të Provës kërkon që Aurel Dodaj të paraqitet në Drejtorinë e Shërbimit të Provës, në të kundërt do të nisë tjetër proces penal ndaj tij.

Në këtë pikë nis dhe absurdi. Pas incidentit në Himarë në janar të vitin 2016 dhe pasi u la i lirë nga policia, edhe gjyqi nuk kish nisur ende, Aurel Dodaj udhëton në Mal të Zi dhe arrestohet pa asnjë sqarim nga policia malazeze. Ai është mbajtur disa muaj në paraburgim dhe familjarët nuk janë njoftuar. Policia malazeze i ka komunikuar 30-vjeçarit se në tetor të vitit 2017, Gjykata greke ka shpallur një dënim dhe rezulton në kërkim ndërkombëtar, për pasojë duhej të ekstradohej në Greqi. I riu rezulton se është dënuar me 10 vjet burg në Greqi për një ngjarje të vitit 2008, në një proces të montuar si shumica e emigrantëve shqiptarë, për FALSIFIKIM TË LEJES SË QËNDRIMIT, si emigrant në Kretë. Procesi në Kretë është zhvilluar në mungesë të tij dhe duke mos pasur një avokat, gjykata greke i ka dhënë masën maksimale të dënimit, për një vepër që nuk konsiderohet as e shkallës së rëndë.

Pra, ndaj të riut shqiptar në të njëjtën kohë rezultojnë procedura penale në tre shtete; në Greqi, në Shqipëri dhe në Mal të Zi ku bëheshin letrat për ekstradimin. Duke njohur të gjithë këtë procedurë të ndërlikuar juridike, institucionet shqiptare ende nuk heqin dorë nga procedimi penal ndaj tij për mosparaqitje te Shërbimi i Provës. Edhe pse kanë dokumente zyrtare që provojnë se Aurel Dodaj ndodhet në Greqi për të vuajtur dënimin, sërish institucionet e Ministrisë së Drejtësisë i kërkojnë atij të paraqitet në Lezhë për të vuajtur dënimin.

Si ka mundësi që një njeri të paraqitet në Shqipëri, kur ndodhet në Greqi e nuk lejohet të largohet nga vendi ku ndodhet derisa të mbarojë gjyqi në ngarkim të tij?!

Në dhjetor të vitit 2017 Gjykata e Lartë e Malit të Zi ka vendosur që ta ekstradojë Aurel Dodajn në Greqi për të vuajtur dënimin. Vendimi i Gjykatës së Lartë malazeze dhe vendimi i gjykatës së Kretës u është dorëzuar institucioneve shqiptare nga familjarët e Aurel Dodaj. Por edhe pse kanë në dorë aktet ligjore të dy shteteve fqinje dhe të përkthyera sipas ligjeve shqiptare, (siç dëshmohet nga dokumentet më poshtë) sërish institucionet kërkojnë që i riu të vijë në Shqipëri për të vuajtur dënimin. Nuk mjafton fakti që në Mal të Zi është mbajtur në paraburgim edhe më shumë sesa dënimi që i është kërkuar nga Gjykata e Vlorës. Nuk mjafton fakti që në Greqi po vuan dënimin nga një proces i montuar dhe që e ka dënuar në mungesë, por institucionet shqiptare e njoftojnë se do ta padisin sërish nëse nuk vjen të paraqitet te sherbimi i provës, për ndryshe do t’ia konvertojnë me burg.

Në vend që institucionet tona të interesohen nëse janë të ligjshme procedurat e ekstradimit të një shtetasi të shqiptar nga Mali i Zi drejt Greqisë. Në vend që Ministria e Drejtësisë të shqetësohet për fatin e qytetarëve shqiptarë në Greqi që dënohen në mungesë me 10 vite burg për një vepër të lehtë penale, institucionet tona ua bëjnë jetën me të vështirë shqiptarëve. Jo vetëm nuk japin asnjë ndihmë juridike dhe nuk reagojnë në mbrojtje të interesave të qytetarëve, por kërkojnë edhe zbatim procedurash që duken çmenduri. Si mund të paraqitet personalisht në institucionet e Shqipërisë një person që është duke vuajtur dënimin në Greqi?

Nëse ikën nga Greqia për t’u paraqitur pranë sherbimit të provës në Shqipëri, atë gjykata greke e dënon me burg. Nëse nuk vjen në Shqipëri prapë gjykata shqiptare do ta dënojë me burg se nuk është paraqitur te shërbimi provës!

Koha Jonë

Në foto: Vendim i Gjykatës së Lartë në Mal të Zi për ekstradimin e Aurel Dodaj drejt Greqisë, pasi është mbajtur për muaj të tërë në paraburgim

Në foto: Njoftim i Drejtorisë së Shërbimit të Provës ku i kërkohet Aurel Dodaj të paraqitet për të vuajtur dënimin

Në foto: Deklaratë e Aurel Dodaj ku informon institucionet shqiptare se nuk mund të vijë në Shqipëri, pasi po vuan dënimin në Greqi

Në foto: Deklaratë zyrtare e Gjykatës së Kretës në Greqi, më 5 maj 2018, ku njoftohet se Aurel Dodaj është dënuar me 10 vite burg dhe 500 euro gjobë dhe ndodhet i burgosur në Kretë.

Në foto: Procesverbal i Drejtorisë së Shërbimit të Provës, ku i ati i Aurel Dodaj, njofton institucionet mbi pamundësinë e djalit të tij për të ardhur në Shqipëri, pasi vuan dënimin në Greqi.