Tirana dhe Vllaznia bëjnë paqe në derbi, ndalen nga shtyllat

Derbi mes Tiranës dhe Vllaznisë ka prodhuar shumë raste shënimi, por asnjë gol. Të dyja skuadrat do të kënaqeshin me një barazim pa gola në “Sterman Stermasi” të boshatisur nga mungesa e tifozëve për shkak dënimi.

 

Ndeshja nis me një ritëm të kënaqshëm, teksa iniciativat më të shumta i ka skuadra e Vllaznisë. Në minutën e 21-të,  Hygor vepron mjaft mirë në krahun e djathtë, por tentativa e tij me të majtën ndalet në traversë. Tirana kundërpërgjigjet menjëherë me një goditje dënimi të ekzekutuar nga Sherri, por që do të ndalej nga një pritje mjaft e mirë e Sherrit. Portieri i kuqebluve do të bëhej sërish protagonist 3 minuta më pas, duke grushtuar një tentativë të Vangjelit nga distanca. Me gjithë këmbënguljen e të dyja skuadrave, fraksioni i parë i ndeshjes do të mbyllej me këtë rezultat.

Fillimi i pjesës së dytë është më i mirë për bardhebluë, që krijuan shansin më të artë të takimit. Ngoo merr një top të bukur, duke u vendosur përballë portierit Sherri, por fati nuk ishte me të, teksa goditja e tij do të ndaj në shtyllën pingule dhe më pas do të largohej nga mbrojtësit shkodranë.Më pas të dyja skuadrat provojnë me goditje nga distanca me Hygor dhe Bathën që provojnë shënjestrën në portat respektive.

Vllaznia do të krijonte një mundësi shumë të mirë shënimi në minutën e 75-të me Shtubinën, por sulmuesi i shkodranëve nuk arriti që të realizonte përballë portierit Lika, duke u frenuar nga mbrojta vendase. Deri në fund rezultati nuk do të ndryshonte, teksa Tirana mbetet në vendin e tretë me 19 pikë, ndërkohë që Vllaznia mban vendin e 7-të me 16 pikë vetëm dy më shumë se Skënderbeu. /R.Lika-Koha Jone/