Shengeni ballkanik, Mustafaj: Nisma pa Kosovën, e parealizueshme

“Nuk mund të ketë Shengen pa Kosovën”, deklaroi ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj në studion e lajmeve në RTV Ora.

Mustafaj theksoi se nisma është e parealizueshme pasi nuk mund të bëhet Shengeni mes Shqipërisë e Serbisë kur në mes është Kosova.

Pjesë nga biseda në studio

Beti Njuma: Kryeministri Rama do të jetë nesër në Samitin e Ohrit për Minishengenin ballkanik. Ka patur shumë debate për përjashtimin e Kosovës dhe të Bosnie-Hercegovinës nga kjo nismë rajonale. Ju si e keni përcjellë këtë? Keni deklaruar që është një nismë e parealizueshme.

Besnik Mustafaj: Absolutisht e parealizueshme, sidomos në afatet që këta kanë caktuar, viti 2021, që është pas një viti. Përtej faktit që është e parealizueshme sepse s’ka filluar akoma puna dhe kërkon volum të madh pune. Shengeni ka katër liritë themelore, prandaj i referohen sepse supozohet realizimi i katër lirive themelore. Po të shprehemi me terma konkretë, do të thotë që porti i Durrës, i Shëngjinit i Sarandës apo i Vlorës është kufi deri në Sarajevë apo Serbi e të gjitha këto. Kjo do të thotë se sistemi i policive kufitare duhet të jetë aq i integruar dhe aq koperativ sa c’është midis policisë italiane, portugeze dhe policisë spanjolle, pa thënë franceze apo gjermane. Ne kemi dy vende që nuk e kanë njohur Kosovën që është Bosnia dhe Serbia. Nuk mund të ketë Shengen pa Kosovën, përtej indiferencës dhe një lloj sjellje të pakuptueshme që kryeministri lidhur me vendin e Kosovës në këtë hapësirë. 

Beti Njuma: Do të ndryshojë me ardhjen e Kurtit kryeministër?

Besnik Mustafaj: Nuk është problemi tek Kosova këtu. Si mund të jetë minishengen Shqipëria me Serbinë kur në mes është Kosova? Do kalojnë përmes Kosovës njerëzit, mallrat.