Projektbuxheti për vitin 2020, rikonstruksion i 120 qendra shëndetësore

Qeveria do të vijojë të mbështesë me fonde sektorin e shëndetësisë në vitin që vjen, duke e konsideruar atë si sektor strategjik. Sipas projektbuxhetit të vitit 2020, i cili u prezantua të premten nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj në Konferencën e Kryetarëve, buxheti për sektorin e shëndetësisë do të rritet me 2.75 miliardë lekë krahasuar me buxhetin e vitit 2019. Në total programohen 63.3 miliard lekë për vitin 2020. Përmes investimeve të planifikuara synohet mbulimi universal i popullsisë me shërbim cilësor, diagnostikimi dhe parandalimi i sëmundjeve si dhe shtimi i gamës së medikamenteve që trajtohen me recetë rimbursimi, reflektuar kjo në rritjen e jetëgjatësisë mesatare të grave dhe burrave mbi nivelet aktuale prej respektivisht 80 dhe 77 vjeç.

120 qendra shëndetësore do të rikonstruktohen për vitin 2020, me një vlerë të përllogaritur rreth 350 milionë lekë në vit. Këto qendra do të mobilohen dhe pajisen me pajisje mjekësore me një vlerë prej 64 milionë lekë për vitin 2020 dhe 30 milionë lekë për vitin 2021. Për këtë periudhë do të bëhet rikonstruksioni i godinave spitalore me një vlerë 2.4 miliardë lekë. Rreth 660 milionë lekë do të shkojnë për blerjen e pajisjeve mjekësore spitalore për spitalet. Qeveria po ashtu programon shtimin e flotës së autoambulancave me 100 copë për periudhën 2020-2021, me një vlerë të përllogaritur rreth 474 milion lekë.

Ndër rezultatet që synohet të arrihen për periudhën afatmesme 2020-2022 janë ofrimi i shërbimit të kontrollit bazë (check-up) për mesatarisht 475 mijë pacientë në vit, trajtimi me recetë rimbursimi i një numri më të lartë pacientësh nga 475 mijë pacientë aktualisht (2019) në 478 mijë pacientë në vitin 2022, si dhe rritja e numrit të pacientëve të trajtuar nga 290 mijë pacientë në vitin 2019 në 330 mijë pacientë në vitin 2022. Po ashtu, synohet rritja e numrit të pacientëve që përfitojnë nga paketat e kardiokirurgjisë dhe kardiologjisë, konkretisht 200 pacientë më shumë çdo vit, për periudhën 2020-2022, si dhe rritje e ndjeshme e numrit të seancave për pacientët që përfitojnë nga trajtimi me dializë nga 170 mijë seanca në vitin 2019, në 234 mijë në vitin 2022. 1 pacientë kryen mesatarisht 13 seanca në muaj.

Ndër objektivat e ministrisë së Shëndetësisë është edhe ulja e nivelit aktual prej 15% të pacientëve të ri shtruar për të njëjtën diagnozë brenda 72 orësh, nëpërmjet urgjencës, reduktimi i kohës aktuale prej 45 ditësh të pritjes për ekzaminime të rëndësishme si rezonancë magnetike, skaner etj, ulja nën 5.3 për 1000 lindje të gjalla të indeksit aktual të vdekshmërisë foshnjore, si rritja me më shumë se 40% të nivelit të numrit të pacientëve të vizituar për herë të parë brenda vitit nga personeli shëndetësor.