Marrëveshja VV-LDK, ndryshime të thella në administratë

Pozitat e ambasadorëve, drejtorëve të agjencive e ndërmarrjeve publike do të rishikohen me Qeverinë e ardhshme potenciale mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se marrëveshja për Qeverinë nuk do të përfshijë emra specifik, por do të vlerësohet produktiviteti i punës së tyre dhe në të kundërt do t’i detyrojnë bordet që të shpallin konkurse të reja.

Me qeverisjen e tyre mundësitë që të dështoj edhe projekti i termocentralit “Kosova e Re” janë të mëdha. Mustafa ka thënë se do të shikohen opsionet nëse mund të bëhen ndryshime në marrëveshjen aktuale, e nëse jo atëherë do të paguhet penalltia prej 19.7 milionë eurosh.

Marrëveshja qeverisëse me LVV-në do të përcaktoj jo vetëm ndarjen e ministrive por edhe se cila parti do ta propozoj emrin e presidentit të ardhshëm. E takimet në nivel të lartë politik do të nisin pas certifikimit të rezultati të zgjedhjeve.