Ky është rrethi shqiptar ku mësuesve nuk u japin rrogat mujore

Edhe pse kanë kaluar disa ditë nga data zyrtare e marrjes së rrogës, mësuesit në Shkodër kanë ngelur thatë. Me rregull, rroga u kalon në bankë çdo datë 5, por edhe pse është data 8, asgjë nuk ka për ta.

Partia Demokratike e Shkodrës ka denoncuar mosdhënien e rrogave për mësuesit e këtij qarku, pavarësisht se në qytete të tjera tashmë problemi është zgjidhur.

Sipas PD Shkodër, ky është dhunim psikologjik, profesional dhe ekonomik i mësuesve. Në njoftim shtohet se bëhet fjalë për 1200 familje që ushqehen me këtë pagë qesharake.

Njoftimi i PD-së së Shkodrës:

Vazhdon dhunimi psikologjik, profesional dhe ekonomik i mësuesve të Shkodrës.

Sot, data 8 nëntor, mësuesit e qytetit të Shkodrës akoma nuk kanë  marrë pagat e tyre, shpërblimin për mundin e tyre gjatë muajit tetor.

E gjithë Shqipëria këtë detyrim ndaj mësuesve e ka ekzekutuar që me datën 5 nëntor, ndërsa në Shkodër veprohet me standartin e “dëshirave” të Zyrës Vendore Arsimore. Nuk është ZVA Shkodër ajo që përcakton datën e dhënies së pagave, pasi kjo përcaktohet qartë për të gjithë mësuesit në Republikën e Shqipërisë.

Kush jua jep ju të drejtën që t’ju vononi pagat mbi 1200 familjeve që gjithçka e kanë të varur nga ajo pagë që edhe kaq sa është , është qesharake ? Sa bursa studentësh varen nga kjo pagë, a e dini ? Sa kredi bankash apo pagesa të tjera varen nga kjo pagë, ndërsa ju me papërgjegjëshmërinë totale që ju karakterizon as që doni t’ia dini.

Të jeni të bindur se asgjë nuk do t’i shpëtojë nga përgjegjësia një ditë shkaktarët e kësaj maskarade të rradhës së “celulës” rilindase në ZVA Shkodër!