Kosova zbulon listën për dy sfidat vendimtare me Çekinë dhe Anglinë

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes ka publikuar këtë të premte listën e futbollistëve të cilëve u ka dërguar ftesë për dy ndeshjet e fundit kualifikuese të “Euro 2020”, kundër Republikës së Çekisë, më 14 nëntor, në stadiumin “Doosan Arena”, në Plzen, dhe kundër Anglisë, më 17 nëntor, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

 

Besar Halimi është një rikthim i rëndësishme, pasi fundmi ishte i skualifikuar për shkak të kartonëve, ndërsa sulmuesi anësor Bernard Berisha nuk është grumbulluar për arsye dëmtimi. Gjithashtu për shkaqe fizike mungon edhe mbrojtësi Mirlind Kryeziu.

Herolind Shala nuk do të jetë i gatshëm, pasi është i lënduar. Ai ka marrë leje speciale nga klubi për t’u qëndruar afër shokëve të Përfaqësueses. Gjithsesi Kosova vazhdon t’i vuajë mungesat e Arbër Zenelit dhe Hekuran Kryeziut, dy lojtarë të rëndësishëm që kanë këputur ligamentet.