Historia e mendimit shqiptar me autor studiuesin Ndriçim Kulla

Këto ditë enti botues Plejad, në serin e botimeve të literaturës së Mendimit Shqiptar botoi libri “Historia e Mendimit Shqiptar” me autor studiuesin, publiccistin dhe botuesin Ndriçim Kulla. Është një botim mjaft cilësor nga ana grafike me format të madh dhe me rreth 540 faqe.

Merita madhore e këtij libri është se na e rikthen edhe njëherë vëmendjen tek fuqia që mendimi shqiptar ka ushtruar në rrjedhën e historisë shqiptare. Në momentet dhe kohërat më të vështira ishte mendimi ai, tek i cili u mbështet elita jonë për zgjidhjen e problemeve shteformuese dhe kombformuese

Libri, me mënyrën se si e trajton frymën e kulturës dhe “kondensimin” e saj në mendim, duket sikur është edhe si një thirrje e fortë, kushtruese, e argumentuar e kulturimit të vërtetë, të thelluar e sistemik, të gjithë shoqërisë sonë, pasi vetëm prej këtij “kombëtarizimi” të shkencave sociale dhe filozofike mund të arrihet edhe ai transformim i rëndësishëm i elitës dhe shoqërisë sonë civile, e cila, sigurisht fillon me të rinjtë, nxënësit e shkollave dhe studentët.

Falë këtij “transfuzioni kulturor”, mund të jemi të sigurtë se do të arrijmë tek ai “transfuzion” idesh e parimesh që kërkon e pretendon kapërcimi i tranzicionit shumë të gjatë dhe të mundimshëm të vendit tonë, në të gjitha planet dhe fushat e jetës shoqërore, politike dhe ekonomike.