Asfaltohet rruga e Elbasanit, Veliaj: Pas mega-kolektorit nëntokësor, edhe një rrugë fringo e re 

Rruga e “Elbasanit” tashmë ka kaluar në një standard të ri. Me përfundimin e rrjetit të ri të kanalizimeve, është bërë edhe asfaltimi i gjithë rrugës. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj thotë se punonjësit e Mirëmbajtjes së Rrugëve kanë punuar edhe gjatë orëve të natës për të realizuar në kohë projektin.

“E qanë çunat brenda natës “Rrugën e Elbasanit”. Pas mega-kolektorit nëntokësor që zgjidhi një herë shkarkimet nga Sauku deri në Lanë, tani dhe një rrugë fringo e re. Ecim para! 👊”, shkruan kryebashkiaku Veliaj, teksa publikon edhe disa foto nga realizimi i punimeve në terren.

Falë investimit të Bashkisë së Tiranës, kjo rrugë tashmë do të ketë një cilësi më lartë për përdoruesit e saj, që i shtohet investimit të rëndësishëm në rrjetin e kanalizimeve, i cili u realizua me materiale bashkëkohore, çka sipas tyre rrit cilësinë e furnizimit me ujë dhe eliminon humbjet në rrjet. Punimet në infrastrukturë jo vetëm që lehtësojnë lëvizjen e qytetarëve, mjeteve dhe mallrave, por i japin një vlerë tjetër pronës. Ndërkohë që ndërhyrjet do të vijojnë edhe në rrugë të tjera të Tiranës, për ta bërë sa me komode lëvizjen e këmbësorëve.