Si u “rrëmbye” Alvini për tu shpëtuar nga kampi

Njëri prej administratorëve të kampit burg në Al- Hol ka treguar sesi e kanë “rrëmbyer” Alvin Berishën nga kampi për ta shpëtuar nga ferri.

Prononcimi i administratorit u publikua këtë mbrëmje në emisionin Opinion. Administratori ka deklaruar se një grup italianësh janë paraqitur në kamp teksa një grua ka kërkuar intervistë me Alvin Berishën. Ai thotë se 11 vjeçari praktikisht u rrëmbye dhe se vetë ai nuk kishte asnjë informacion më tutje në lidhje me fatin e shqiptarit.

Ndërkohë të tjera detaje mbi misionin e shpëtimit të Alvin Berishës, ka dhënë zyrtari i komunitetit Mysliman në Shqipëri, Ermir Gjinishi. Në lidhje direkte me emisionin Opinion, Gjinishi është shprehur se aksioni ka nisur para 3 ditëve. Problemi kryesor i hasur ka qenë fakti se Alvin Berisha ka patur shtetësi shqiptare dhe jo italiane dhe këtu ka ndërhyrje pala shqiptare për të thjeshtuar operacionin.

“Lajmi është dhënë që në 31 tetor, ka rreth një javë që është bërë i ditur për fillimin e një operacioni për kthimin e djalit shqiptar në shtëpi. Është një nga gazetat egjiptiane e cila njofton në datën 31 tetor fillimin e operacionit për marrjen e djalit shqiptar. Cilësohet se ka dijeni dhe e ndjek këtë operacioni nga presidenti i Republikës së Shqipërisë. Ministri i brendshëm ka ndenjur gjithë kohën në Bejrut, nuk e ka kaluar për asnjë moment kufirin me Sirinë. Djali ka shtetësi dhe kombëtare, ne duhet të asistonim vetëm më letrat e udhëtimit për të bërë kalimin e djalit nga Bejruti drejt Italisë. Këtu nuk bëhet fjalë për djalin, sepse është problemi më i lehtë. Problemi mbetet edhe më shumë se 70 persona të tjerë shqiptarë. Ky është problemi më i madh”, tha Ermir Gjinishi.

Alvin Berisha qëndronte në këtë kamp që prej 14 Marsit 2019, pas shtrimit në një spital në rajonin Hasakah të Sirisë, për shkak të plagosjes në këmbë nga një shpërthim ku humbi nënën.

Ai jetonte me familjen në Itali, por nëna e tij e cila ishte radikalizuar në mbështetëse të ISIS, e mori me vete në vitin 2014 në Siri. Që prej asaj kohe, ai i kishte humbur gjurmët, por u gjet nga emisioni investigativ “Le Iene”, i cili u vu në kërkim të tij me kërkesë të babait të 11-vjeçarit