Privatizimi i pasurive kulturore- Udhëzimi: Do u jepen në administrim partnerëve të posaçëm strategjikë!

Një udhëzim i Ministrisë së Kulturës që mban datën 14 tetor u jep mundësinë subjekteve private, të cilët konsiderohen partnerë strategjikë, të administrojnë në mënyrë indirekte pasuritë kulturore në gjithë territorin.

Ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore mund të bashkëthemelojë fondacione të posaçme për administrimin indirekt të pasurive kulturore publike me partnerë strategjikë që përmbushin kriteret e përcaktuara në vendimin nr. 625, datë 4.9.2019, të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullave të administrimit të pasurive kulturore publike dhe të funksionimit të subjekteve juridike të themeluara në formën e fondacionit”, thekson Udhëzimi i Ministrisë i cili është publikuar tashmë edhe në Fletoren Zyrtare.

Më tej udhëzimi përcakton edhe kriteret që duhet të përmbushë subjekti privat për t’u konsideruar nga Ministria si partner strategjik.

Ai duhet të ketë fituar personalitet juridik nëpërmjet regjistrimit në organin kompetent prej jo më pak se 5 vjetësh; të ketë pjesë të objektit, veprimtari në fushën e trashëgimisë kulturore; të mos jetë i dënuar për vepra penale në fushën e trashëgimisë kulturore; të mos jetë në procedura likuidimi, falimentimi, apo forma të tjera administrimi; të ketë eksperiencë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar prej jo më pak se 5 vjet në fushën e trashëgimisë kulturore; të ketë hartuar dhe/ose realizuar projekte në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve gjatë 5 viteve të fundit të aktivitetit të tij; të sigurojë ekspertizën e nevojshme si dhe të ketë kontribut të njohur financiar, shkëmbim të vlerave intelektuale dhe profesionale, në fushën e trashëgimisë kulturore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. /Scan