Gazetari zbulon emrin: Kush është personi tjetër që po kërkohet për atentatin ndaj Ndojit, i njohur në botën e krimit

Mbrëmjen e së enjtes, Andi Maloku, shoferi i prokurorit Arjan Ndoja, ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës. Gjashtë ditë pas atentatit që ndodhi më 1 Nëntor në autostradën Tiranë-Durrës, Andi Maloku nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të rënda. Plumbat i kishin prekur mushkërinë dhe shtyllën kurrizore shoferit të prokurorit Ndoja.

Ndërkohë një lidhje direkte në emisionin Opinion, gazetari Spartak Koka ka treguar se policia po zhvillon një operacion në jug të vendit për të arrestuar personin e dytë, i dyshuar si i përfshirë në këtë ngjarje.

“Aktualisht ka hetime intensive që po shtrihen në disa qytete të vendit. Përqendrimi i një grupi të policisë është në qytetin e Lushnjës, në Karbunarë ku dyshohet se qëndron njëri prej personave që të ketë dijeni për atentatin. Ai është shtetasi J.S. Është eksponent i njohur i botës së krimit, jeton mes Durrësit dhe Lushnjës. Ka njohje më një grup rival të Pëllumb Muharremit. Përpara disa kohësh i janë sekuestruar rreth 70 mijë euro dhe automjet me vlerë 100 mijë euro”, tha gazetari.