Atentati, hetimet sigurojnë prova të reja në lidhje me armët

Në lidhje me atentatin në Shkozet ndaj prokurorit Arjan Ndojës, një provë tjetër është siguruar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Analiza balistike ka provuar se plumbat e gjetura në vendin e ngjarjes janë qëlluar nga armët e gjetura në automjetin e braktisur në Shkafanë të Ishmit. Është zbuluar gjithashtu një predhë e padëmtuar në automjetin e prokurorit e cila është shkrepur nga njëra nga armët kallashnikov.

Mësohet se makina e atentatorëve është filmuar nga kamerat e sigurisë të një servisi pranë vendngjarjes. Prokurorët kanë sekuestruar telefonat e Arjan Ndojit, Aleksandër Lahos alias Pëllumb Muahrremi, Andi Malokut dhe Redjan Rrajës. Ky i fundit është i arrestuar i vetëm në lidhje me këtë ngjarje por është identifikuar gjithashtu edhe një person tjetër i implikuar në ngjarje.

Pak orë më parë në Spitalin e Traumës në Tiranë ndërroi jetë shoferi i prokurorit Ndoja, Andi Maloku i cili kishte marrë dy plumba në mushkëri ku njëri kishte prekur shtyllën kurrizore.