Fermerët prej javësh në protesta, qeveria ende hesht

Fermerët dhe blegtorët e Myzeqesë prej javësh janë ngritur në protesta, nisur nga gjendja e tyre e rënduar financiare, si pasojë e vështirësive për të gjetur tregje. Ata kërkojnë marrjen e masave të menjëhershme nga shteti, si subvencionimi i prodhimit të tyre, blerja e naftës pa akcizë dhe ulja e TVSH-së për produktet bujqësore në shitje. Protestat janë shoqëruar me marshime, të shoqëruar edhe nga forcat e rendit, teksa kanë hedhur në rrugë në mënyrë simbolike produktet e pashitura si domatet dhe kastravecat. Sipas tyre, këtë vit situata është më e vështirë për shkak se shumica e prodhimit të tyre ka mbetur në serra, ndërkohë që pikat e grumbullimit detyrohet të ofrojnë një çmim të konsideruar prej tyre shumë të ulët. Pas protestave të shumta, ende nuk ka një reagim zyrtar nga qeveria.