Salianji: Pas dështimit me negociatat, protestat mjet i domosdoshëm kundër qeverisë

Ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji flet për aksionin e opozitës: Zgjedhjet e parakohshme, një hap larg për shkak të opozitarizmit të fortë

Intervistoi: Jonida Halili

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji në një intervistë për gazetën “Koha Jonë” ka deklaruar se vendimi zyrtar i Partisë Demokratike dhe gjithë opozitës së bashkuar është largimi i kryeministrit Edi Rama dhe përgatitja e zgjedhjeve të parakohshme me një qeveri tranzitore ose kujdestare. “Protesta është mjet i domosdoshëm në kushtet kur qeveria dështoi të hapë negociata për faj të keqqeverisjes, korrupsionit, krimit të organizuar, mossundimi të ligjit mosndëshkueshmërisë, vjedhjes së zgjedhjeve”, ka deklaruar Salianji. I pyetur në lidhje me aksionin e opozitës,  ai thotë se zgjedhjet e parakohshme janë një hap larg për shkak të opozitarizmit të fortë dhe akteve të guximshme të marra nga opozita. “Rruga për zgjidhjen e krizës kalon nga 9 pikat kushtëzuese të Bundestagut gjerman, themeli i kushteve është ndëshkueshmëria e deformimit të votës dhe krijimi i kushteve për implementimin e një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse”, thekson më tej ish-deputeti. Teksa shprehet i bindur, Salianji thotë se shumë shpejt qeveria aktuale do përfundojë në kosh, disa prej hajdutërisë, disa prej lidhjeve me krimin dhe disa si bashkëpunëtorë të drejtësisë për të shpëtuar kokën e tyre do ta lëshojnë Ramën.

Opozita e bashkuar paçka se gjatë verës ka deklaruar se në shtator do të kishte vijimësi të protestave, në tetor u tha se për shkak të përgjegjshmërisë për hapjen e negociatave, opozita nuk do të dalë në shesh, por sipas saj format e protestës do të jenë vetëm kontaktet me qytetarët. Negociatat nuk u hapën, cili është plani duke qenë se zëra të fuqishëm brenda kampit të PD lëshojnë thirrje për protesta të fuqishme?

Partia Demokratike është një forcë e madhe e cila ashtu siç numerikisht përfaqëson në çdo rast gjysmën e shqiptarëve ashtu edhe ka mendime, qëndrime apo ide të ndryshme por gjithçka diskutohet dhe në fund merret një vendim që i nënshtrohet vendimmarrjes dhe më pas të gjithë ndjekin vendimin. Zërat e fuqishëm që ju i referoheni kanë pasur dhe kanë ndjekur qëndrimin zyrtar të PDSH të miratuar në Këshillin Kombëtar. Vendimi zyrtar i Partisë Demokratike dhe gjithë opozitës së bashkuar është largimi i Ramës dhe përgatitja e zgjedhjeve të parakohshme me një qeveri tranzitore ose kujdestare. Për të arritur këtë qëllim protesta në mendimin unanim të Këshillit Kombëtar te PDSH ka qenë dhe mbetet mjet i domosdoshëm për të arritur qëllimin. Personalisht mendoj që protesta është mjet i domosdoshëm në kushtet kur qeveria dështoi të hapë negociata për faj të keqqeverisjes, korrupsionit, krimit të organizuar, mossundimi të ligjit mosndëshkueshmërisë, vjedhjes së zgjedhjeve. Ne sot jemi në një aksion vijues të nisur që nga 16 Shkurti, qeveria e sotme është ilegjitime për shkak të një parlamenti ilegjitim i cili ka dalë nga votat e vjedhura dhe nga bashkëpunimi me krimin. Në një demokraci duhej që pas kësaj qeveria të dorëhiqej dhe të çonte vendimmarrjen tek qytetarët, në një autokraci qeveria nuk e njeh përgjegjësinë tek vetja, por e delegon tek populli apo aktorë të tjerë, në këto kushte padiskutim që ne do vazhdojmë aksionin tonë në çdo front. Protesta është vendimi në fuqi i strukturave të PDSH, koha do të vendoset sipas një taktike dhe strategjie të mirëmenduar nga opozita. Kontaktet me qytetarët janë formë organizmi e Partisë Demokratike për të organizuar strukturat, për të vjelë mendimin e qytetarëve dhe për të përgatitur alternativën që të jemi të gatshëm për zgjedhjet e parakohshme, kontaktet me qytetarët nuk janë me udhëzim ato janë punë e përditshme e politikanëve dhe përfaqësuesve të opozitës dhe padiskutim që shërbejnë edhe për përgatitjen e protestave.

A është e aftë opozita të ndërpresë mandatin e qeverisë dhe të shkojë në zgjedhje të parakohshme? Nëse po, kur dhe si do realizohen pasi sipas jush kjo është e vetmja rrugë për të zgjidhur krizën politike?

Ne sot jemi në vitin e dytë të mandatit të qeverisë dhe zgjedhjet e parakohshme janë një hap larg për shkak të opozitarizmit të fortë dhe akteve të guximshme të marra nga opozita. Rruga për zgjidhjen e krizës kalon nga 9 pikat kushtëzuese të Bundestagut gjerman, themeli i kushteve është ndëshkueshmëria e deformimit të votës dhe krijimi i kushteve për implementimin e një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse. Thënë këto ndërkombëtarët e kanë pranuar ilegjitimitetin e qeverisë dhe rrugëzgjidhja do të kalojë me qeverinë tranzitore. Mos harroni që në Maqedoninë e Veriut ka qenë e njëjta problematikë me qeverinë e mëparshme dhe u gjet zgjidhja qe iu ndërpre mandati në mes dhe u sanksionua në kushtetute që çdo herë që organizohen zgjedhje ka një qeveri kujdestare. Shumë shpejt qeveria aktuale do përfundojë në kosh, disa prej hajdutërisë, disa prej lidhjeve me krimin dhe disa si bashkëpunëtorë të drejtësisë për të shpëtuar kokën e tyre do ta lëshojnë Ramën.

Kritikë të PD-së, shprehen se selia blu duhet të tregojë program, të ketë njerëz dhe të japë aksion. A janë këtë 3 elementë kryesorë për të cilën po punon edhe vetë struktura bërthamë e PD-së, apo interesi juaj është diku tjetër?

Partia Demokratike ka program, ka shumë njerëz me ide dhe teza, ka pasur aksion në 6 vite këto janë fakte. Nëse dikush që nuk ka dhënë kontribut për 6 vite në opozite do të hyjë pa radhë në majë të sistemit pa garë dhe rregulla pasi ka marrë nga kontributi i demokratëve në qeverisjen e mëparshme kjo për mua personalisht është e pavend ashtu siç është e pavend që disa bashkëpunëtorë të Ramës që kane punuar kundër PD në 2017 ti bëhet temena. PDSH ka vetëm nevojën për hapjen drejt shoqërisë me njerëz të rinj dhe për vlerësimin e njerëzve që kanë mbajtur peshë të rëndë në opozite apo demokratë që kanë sakrifikuar vendet e punës, ushqimin e fëmijëve, bizneset, represionin e qeverisë por nuk i janë nënshtruar pushtetit as me para as me kërbaç, padiskutim që kontribut të madh kanë kryetarët e degëve, ish-deputetët që dorëzuan mandatet apo ish kryetarët e bashkive. Këta janë njerëzit që janë pasuria e Partisë Demokratike dhe këta janë pafund, me vjen t’i përqesh me të madhe disa që thonë që s’ka njerëz në PD dhe vetë nuk bëjnë asgjë për të ndihmuar.