Rikthehet Big Brother, kush do të jetë në moderimin e tij?

Big Brother do të rikthehet shumë shpejt! Lajmi u bë i ditur pak kohë më parë në festën e “Top Medias” në nder të 51-vjetorit të Tanit të “Topit”, nga dy moderatorët Isli Islami dhe Ori Nebijaj.

Sipas tyre, reality-show do të fillojë në vitin 2020 dhe ende s’dihet ç’surpriza do të sjellë këtë vit ky format. E pyetur nëse do të rithehet për të moderuar spektaklin, Arbana Osmani u shpreh për revistën “Who” se nuk e di ende dhe se ka dilema për rikthimin e formatit:

“Të them të drejtën nuk e di. Unë kam dilemat e mia për rikthimin e formatit dhe realizimin e tij me standardet e dikurshme. Ka shumë faktorë që më bindin të drejtoj një program të caktuar. Me “Big Brother” këta faktorë nuk i kam vlerësuar akoma”.

Megjithatë moderatorja konfirmoi suksesin e “Dua të të bëj të lumtur” duke thënë se është shumë e kënaqur që është kthyer në një nga programet më të ndjekura prej 3 vitesh në “Top Channel”.

“Besoj që në televizion më shumë se në çdo fushë tjetër, njerëzit që profilizohen në një program të caktuar, për shkak të familjaritetit që fiton programi, kanë më tepër sukses. ‘Dua të të bëj të lumtur’ është një nga programet më të mira dhe më të ndjekura prej 3 vitesh në “Top Channel”. Unë jam e kënaqur, tv është i kënaqur, audienca gjithashtu, përse duhet të ndryshojmë?”, u shpreh Arbana.