Pendarovski: Ne nuk jemi fqinjë të BE-së…!

Presidenti Maqedonisë së Veriut: Pa angazhim të SHBA nuk ka zgjidhje të qëndrueshme në rajon

Nga Lutfi Dervishi

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë përmendur bashkë këto 10 ditë për shkak të dështimit të Këshillit Europian për të mos hapur negociatat.

“Gabim  historik”, “gabim i rëndë’, “gabim strategjik” janë etiketat që ia janë vënë qëndrimit francez, etiketa që i kanë përdorur si drejtues të insitucioneve dhe vendeve të BE-së ashtu edhe nga “think tank-e” e media ndërkombëtare.

Por Shqipëria dhe Maqedonia nuk janë bashkë vetëm në ‘ngërçin” aktual dhe aspiratën për të ardhmen në BE.

Dy vendet fqinjë janë lidhur me shumë fije dhe ndajnë shumë gjëra me njëri- tjetrin. Ndajnë  jo vetëm liqenin e Ohrit- pasuri botërore e mbrojtur nga UNESCO, jo vetëm Dibrën…, -por edhe figura me të cilat  i krenohen botës si  Nënë Tereza apo Nobelisti Ferid Murad.

Të dy vendet kanë interesa reciproke për shkak se më shumë se ¼ e popullsisë në Maqedoni janë shqiptarë dhe për shkak të pranisë së minoritetit maqedonas në Shqipëri.

Mes Tiranës dhe Shkupit nuk ka asnjë problem të madh të pa zgjidhur!

Të dy vendet janë “goditur” njëlloj nga bllokimi francez dhe ndodhen në stade të ndryshme të reformave.

çfarë ndikimi ka në vendin fqinj dhe në rajon mos marrja e vendimit nga Këshillit Europian? A ka alternativa të tjera? “Ne nuk jemi fqinjë të BE-së, ne jemi pjesë e BE-së” thotë Stevo Pendarovski,  kryetari i shtetit të Maqedonisë Veriut.

A po punojnë dy vendet më shumë për detyrat e Brukselit sesa  për “detyrat” që historia dhe gjeografia u imponon fqinjëve?

Pse edhe sot pas ..25 vjetëve projekti madhor i korridorit 8-të ka mbetur në letër?

President dëshiroj ta nisë këtë intervistë me vendimin e Këshillit Europian javën e shkuar në Bruksel. A ishin Shqipëria dhe Maqedonia viktimë e qëndrimit të ri francez ndaj BE-së / vetos franceze, apo vendi juaj u trajtua në mënyrë të padrejtë ngaqë ishte çift me Shqipërinë?

Deklarata ime e parë sapo u mor vendimi nga ana e BE-së ishte se ne nuk duhet të mendojmë që kemi armiq në Bashkimin Europian. Duke qenë se kam një kohë të gjatë një politikë kam mësuar një gjë, nuk është mirë që të shohësh njerëzit apo shtetet në politikë përmes prizmit të miqve dhe armiqve. Sigurisht, qëndrimi im është se çdo vend, jo vetëm në BE, po kudo në botë ka një interes kombëtar legjitim dhe e mbron atë në mënyrën më të mirë që ata dinë. Më duket se në këtë periudhë që po flasim Republika franceze ka një interes specific kombëtar, që po përpiqen ta mbrojnë. Presidenti i tyre po e bën këtë, ai paguhet për ta bërë këtë punë dhe ne duhet të shohim arsyet e Presidentit të Francës dhe shtetit të tij, të përpiqemi t’I kuptojmë ato, në mëryrë që t’I adresojmë më mirë ato. Gjëja më e thjesht është të thuash se populli francez, apo Franca apo presidenti Macron është armiku ynë dhe ta trajtonim nga kjo perspektivë me gjithë kompleksitetin e vet. Që kështu më duket, se në këtë periudhë kohe, për shkak të dinamikës së brendshme politike në Francë dhe për shkak të dinamikës së brendshme politike brenda vetë BE-së, ne kemi qenë viktima, siç e thatë ju. Por kjo nuk do të thotë se ne do të jemi viktima edhe pas 6 muajsh. Kështu që puna e parë për veten time, për vendin tim, për vendin tuaj, për politikanët tuaj, unë do të flasë gjeresisht rreth kësaj me Presidentin dhe Kryeministrin tuaj sot, është të nisim ndoshta përpjekje të përbashkëta për të bindur miqtë tanë dhe pjesën tjetër të BE-së që ne realisht e meritojmë të nisim negociatat. Sepse nuk po kërkojmë të bëhemi anëtarë me të drejta të plota të hënën, apo një javë më pas, por po kërkojmë të nisim një proces tejet, tejet të gjatë, që do të marrë vite e vite.

President, ju publikisht keni qenë shumë optimist për mundësinë e hapjes së negociatave për Maqedoninë. Po thellë-thellë në vetvete a keni pritur një “Jo” për përgjigje?

Jo. Nuk prisja kurrë një “jo”. Kam dhënë një intervistë dy ditë më parë për një media në rajon, para se të vija në Tiranë dhe thashë qartësisht dhe ndershmërisht se u trondita. Askush nuk e parashikonte këtë sepse të gjitha informacionet, edhe ato që na vinin nga Parisi, ishin se Franca do të thotë “po”, por me “por”, ndoshta të shoqëruar me një listë kushtesh. Sigurisht që nuk prisnim një ”jo”. Të dy vendet nuk kanë qenë të pranishme kur u bënë konkluzionet e Këshillit. Ata madje as nuk thanë as që ju nuk kualifikoheni, ata nuk na thanë asgjë. Madje edhe vetë teksti I konkluzioneve ishte ekstremisht befasues për ne dhe për këdo tjetër, madje dhe për vetë njerëzit që i ndjekin nga afër zhvillimet Brenda BE-së.

Si ndjehen qytetarët e Maqedonisë këto ditë, pas këtij vendimi?

Ndjehen keq. Mund t’ua them këtë dhe dua të jem i ndershëm me ju. Dhe kjo është arsyeja që e thashë në fillim, detyra e parë e jona si politikanë, si politikanë të përgjegjshëm është që t’i bindim njerëzit se kjo është është momentale, nuk është e përhershme. Dhe në politikë, ashtu si edhe në jetë, ne nuk i kemi në dorë vendimet përfundimtare. Ky ishte një vendim i marrë për shkak të një interesi të veçantë të një vendi të veçantë dhe duhet ta mbajnë paraqsysh dhe të përpiqemi të bindim këtë vend dhe ata pak të tjerë që janë dyshues, ndoshta këta vende nuk janë në vijën e parë të frontit bashkë me Francën për momentin, por janë pas Francës me të njëjtat argumenta kundër perspektivës tonë për anëtarësim. Duhet të flasim me ta, t’I bindim ata dhe të nisim sa më shpejt që të jetë e mundur me këto negociata.

President ky vendim pati një ndikim të drejtpërdrejt në jetën politike dhe sociale të vendit tuaj. Vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohëshme dhe njerëzit po flasin për premtime të pambajtura. Më lejoni të citoj ish komisionerin për zgjerimin Johannes Hahn “Maqedonia do të ketë mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për perspektivën e hapjes së negociatave me BE-në, në përgjigje të aspiratës së fortë europiane të popullit maqedonas”….

Çdo gjë është e qartë dhe korrekte. Por çcfarë na pret përpara është detyra e një politikani të përgjegjshëm. Të qajmë dhe të ulërasim duke thënë se askush nuk na do ne apo të themi le të ulemi një moment, të marrim frymë thellë dhe të mendojnë se çfarë do të bëjmë me hapin e rradhës. Pas takimit që pata me udhëheqësit e partive politike, menjëherë pas vendimit negativ të Këshillit Europian, mblodha udhëheqësit e partive politike dheiI pyeta të gjithë liderët “çfarë mendoni për prosperitetin dhe të ardhmen e vendit? A është perspektiva e BE-së e vetmja perspektivë që duhet të ndjekim? Apo ndoshta kemi alternativa të tjera.”

Ka alternative të tjera….

Absolutisht. Të gjithë ata menjëherë… dhe ne e kemi thënë publikisht ka shumë alternativa, por nuk ka asnjë alternativë që i afrohet alternativës së perspektivës europiane. S’ka më të mirë se sa ajo duke parasysh përfitimet që do të kemi kur të jemi brenda, kur të jemi pjesë e familjes. Dhe shumë shpejt ne të gjithë arritëm në një konsensus shtetëror dhe kombëtar për këtë çështje. Zgjedhjet e parakohëshme janë diçka tjetër. E para është më e rëndësishme.

Pyetja në referendumin që pati Maqedonia ishte kokë për kokë “votoni po që të merrni perspektivën europiane”. Vendimi I fundit I këshillit ka marrë disa etiketa që shkojnë nga gabimi historik te gabim strategjik. Dhe duke cituar dy autorë të rëndësishëm francez që vetë citojnë Tayllerand-in “nuk është krim, është më keq se kaq, është gabim”. Z. President a mendoni se vendet në rajon e kanë kuptuar thellësisht këtë ndryshim sizmik me qasjen e Francës sa i përket perspektivës europiane të rajonit?

Nuk dëshiroj të fokusohem shumë tek Franca…

Po, por është Franca që po bllokon…

Absolutisht, por dua të flas për një tablo më të gjerë. Për mua gjatë 5-6 vitet e fundit, BE ka ndryshuar në mënyrë fondamentale nga brenda dhe për fat të keq ne, njerëzit në Ballkan, nuk po e ndjekim me vëmendje dhe nga afër këtë ndryshim. Ne ende flasim për BE-në, a thua se është BE e viteve 1990 apo 2000. Kanë ndodhur shumë ndryshime. Për herë të parë një nga vendet më të rëndësishme dhe më me ndikim po largohet nga Bashkimi Europian, Mbretëria e Bashkuar. Pra, në pikëpamjen time, në llogaritë e liderëve të BE-së kjo është një gjë shumë më e rëndësishme se sa Maqedonia e Veriut apo Shqipëria. Ne jemi kaq të vegjël dhe besomëni ata nuk do të dëshirojnë të shpenzojnë shumë kohë për ne. Është detyra jonë t’u themi “ju lutem na kushtoni pak minuta nga sesionet që ju bëni sepse kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për stabilitetin dhe të ardhmen tonë”. Nuk dua që të justifikoj europianët apo francezët apo Presidentin francez apo këdo tjetër, por po përpiqem të shohë në një tablo më të gjerë realitetin dhe çfarë po ndodh aktualisht në Bruksel. Ata kanë shumë gjëra për të bërë për veten e tyre dhe Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të gjithë jemi pak million njerëz dhe sigurisht nuk jemi prioriteti numër një për Unionin Europian. Ky është fati i vendeve të vogla. Duhet të mësohemi me këtë fakt, jemi vende të vogla, nuk jemi aq të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe do të vazhdojmë të jemi kështu sa i përket politikës botërore.

Vendet që bënë avokati për Shqipërinë kishin nevojë për disa argument të mira. Për çfarë argumentash kanë nevojë miqtë e Maqedonisë?

Asnjë. Madje edhe para marrjes së vendimit nuk na është kërkuar të bëjmë ndonjë gjë më tepër. Ata thanë “duhet të zgjidhni …” … Ju e dini me pak fjalë historinë e Maqedonisë së Veriut, Republikës ish Jugosllave të Maqedonisë. Që prej vitit 2009, vetë Komisioni Europian dhe vetë Këshilli Europian thanë “ka vetëm një dhe dëshiroj ta përsëris, ka vetëm një çështje që duhet zgjidhur për të çelur negociatat dhe për t’I mbyllur ato dhe është çështja e mosmarrëveshjes me emrin që keni me Greqinë”. Ne e zgjidhëm këtë mosmarrëveshje! Ne bëmë një refermendum për këtë çështje. 91 përqind e njerëzve që votuan në referendum thanë “po”. Ata u shprehën në favor të marrëveshjes së Prespës me Greqinë për të hyrë në BE dhe sigurisht dhe në NATO. Nuk dua të harroj këtë objektiv strategjik shumë të rëndësishëm për vendin tim. Ne bëmë gjithçka që na u kërkua. Dhe befas nga BE na thonë “ne nuk po ju kërkojmë gjë tjetër, sidoqoftë ne po ju themi “jo” përpjekjeve tuaja për anëtarësim “. Nuk na dhanë ndonjë arsye të fortë me të cilën mund të argumentonin diçka. Dhe dua sërisht t’i kthehem politikës reale. Ata janë të mëdhenj, kanë shumë ndikim, të gjithë ata. BE ka 500 milion banorë, janë më të prosperuarit, më demokratikët. Vendet më të përparuara janë në këtë klub. Ata janë në një pozicion që mund të thonë gjëra të tilla, ne nuk jemi në këtë pozitë. Ne jemi jashtë, ata janë brenda. Ne duhet të bëjmë çdo gjë të mundshme në të ardhmen që t’i bindim ata që nuk duhet të harrojnë Ballkanin Perëndimor sepse ne nuk jemi vetëm gjeografikisht pjesë e Europës, ne jemi kulturalisht pjesë e Europës dhe duam të bëhemi edhe institucionalisht pjesë e Europës së bashkuar.

President pas vendimit të Këshillit Europian janë në qarkullim oferta të reja që mund t’I bëhen Ballkanit Perëndimor si alternativë ndaj anëtarësimit. Dhe këtu ndoshta përfshihet edhe Serbia dhe Mali i ZI. Oferta është për t’u bërë pjesë e zonës ekonomike europiane, një ushtrim që ka nisur në kontinent nga vitit 1994…

Nga një tjetër francez…

Zhak Delor

Zhak Delor

Ai e shpalli këtë ide në vitin 1989 dhe në atë kohë BE-ja kishte vetëm 12 anëtarë. A është kjo ofertë një alternativë për të mos e humbur fare dritën e BE-së?

Kjo që po ngrini është pyetja e duhur dhe për këtë gjë duhen shpenzuar orë të tëra duke folur. Në pikëpamjen time kjo nuk është ide e mirë. Kjo mund të jetë një ide e rrezikshme. Nëse BE po i ofron vendeve të Ballkanit Perëndimor një kompensim në këmbim të anëtarësimit me të drejta të plota, në formën e zonës ekonomike europiane, kjo është e rrezikshme për ne.

Po, por po thonë se do të jetë si Norvegjia, Lihtensteini , Zvicra…

Po, por fakti që Norvegjia është në këtë marrëdhënie me BE-në është për arsye krejt të tjera. dhe gjithmonë them se edhe lista e arsyeve për Britaninë e Madhe që po largohet nga BE-ja nuk ka të bëjë me listën e arsyeve, për të cilat ne duam të futemi në BE. Si duhet t’ia shpjegojmë publikut se çfarë zona e përbashkët ekonomike?! Është një zgjerim I tregut të përbashkët, pa përfshirë bujqësinë dhe çdokush e di që bujqësia kontribuon afërsisht 40% të buxhetit të gjithë BE-së. Nuk kemi nevojë për këtë. Si vende të Ballkanit Perëndimor me traditë demokratike të varfër, me këtë nivel të kulturës politike, ne nuk kemi nevojë vetëm për të qenë pjesë e tregut të përbashkët. Ne kemi nevojë për vlerat e Bashkimit Europian. Gjithmonë ju them njerëzve, 3 dekada më parë ne nuk kemi qenë të vetdijshëm për pavarësinë e gjyqësorit, për lirinë e medias, madje as i kemi ditur që këto gjëra edhe ekzistonin. Ne kemi jetuar në një botë krejt tjetër, madje nuk kemi qenë as formalisht në demokraci. Nisëm të mësojmë formalisht demorakracinë si një sistem poltik vetëm në 91-shin dhe ende jemi në fazat e para të zhvillimit demokratik. Kështu që, pa patur institucione demokratike të qëndrueshme, ne nuk mund të ecim përpara në aspektin ekonomik. Ne kemi nevojë për këtë lloj ndihme dhe mbështetje dhe për praktikat më të mira nga BE-ja.

  1. President, a është për ju ende në fuqi premtimi i Samitit të Selanikut të vitit 2003 për perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor?

Për momentin duket se jo. Por është detyra ime, detyra e lidershipit tuaj, detyra e lidershipit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që të bindim njerëzit në Bruksel që ata nuk duhet t’I braktisin premtimet që kanë bërë. Edhe si individ, nëse ti nënshkruan një kontratë, duhet ta respektosh atë dhe duhet t’i respektosh të gjitha detyrimet e kësaj kontrate. Ne ju kemi thënë njerëzve tanë që axhenda e Samitit të Selanikut është vetëm fillimi I një procesi të gjatë që do të përfundojë me anëtarësimin e plotë në BE. Unë gjithmonë them se premtimi i Selanikut është gjallë, por tani po na thonë “jo, jo, do t’ju ofrojmë diçka tjetër”. Madje në disa konferenca shtypi në Bruksel, gjatë kohës së takimit të Këshillit Europian disa njerëz, përfshi edhe Presidentin francez, përmendën një term shumë interesant kur ju referuan rajonit tonë. Ata folën për fqinj, për fqinjësinë. Fqinjë të Bashkimit Europian janë vendet në të ashtuquajturin Partneritet Lindor, vendet e Azisë Qëndrore, Moldavia dhe vendet e pjesën veriore të Afrikës. Ne nuk jemi fqinj. Ne jemi pjesë e kontinentin Europian dhe sipas dokumentave bazë të BE-së nga 1957, kemi të drejtën e plotë për të qenë një ditë pjesë e Europës institucionale.

Sipas traktateve të BE-së çdo vend në kontinent ka të drejtë të aspirojë për t’u bërë vend anëtar, por në praktikë mjafton një vend për të thënë “jo”…

Duke folur për rastin e vendit tim, ne kemi qenë në një situatë të ngjashme dy herë gjatë historisë sonë të viteve të fundit. Pati një konluzion të Bashkimit Europian të atëhershëm dhe në atë kohë ne nuk njiheshim as si vend, dhe ata thanë “nëse ju e hiqni termin Maqedoni nga emri juaj, vetëm në këtë situatë ju mund të njiheni si shtet”. Kjo ishte tronditëse për ne. Ne gjithmonë kemi qenë maqedonas. Ata na thanë “jo, jo, nëse keni Maqedoni në emrin tuaj, nuk njiheni si shtet”. Një vit pas kësaj ne u bëmë anëtar të Kombeve të Bashkuara. Në vitin 2008 ne i plotësuam të gjitha kushtet për anëtarësim në NATO dhe në samitin e NATO-s në këtë vit na thanë sërish “jo, ju duhet të zgjidhni porblemin e emrit me fqinjin tuaj jugor”. Pra, tani ndodhemi në të njëjtën situatë për herë të tretë dhe duhet t’ia nisim nga e para.

  1. President, Maqedonia e mori statusin e vendit kandidat për në BE në vitin 2005, 5 vite para Malit të Zi, 6 vite para Serbisë dhe 8 vite para Shqipërisë. Dhe që nga viti 2009, për 10 vite me rradhë Komisioni Europian ka rekomanduar hapjen e negociatave. Mosmarrëveshja me Greqinë ka qenë pengesa kryesore gjatë gjithë kësaj kohe. A ka ndonjë mësim të nxjerrë për vonesën që i është shkaktuar vendit për hir të fitoreve në luftën e brendshme politike?

Më duket se gjatë disa zgjedhjeve të fundit që kemi zhvilluar dhe po flas për zgjedhje parlamentare, përfshi edhe zgjedhjet presidenciale, çështja e BE-së ose NATO-s nuk ka qenë vendimtare për dikë që të humbasë apo të fitojë zgjedhjet. Madje edhe zgjedhjet e fundit presidenciale, në të cilat unë isha pjesë, kanë patur diçka të ngjashme sepse çështja më e nxehtë ishte marrëveshja e Prespës, sepse ishte kyçe për të hyrë në të dy organizatat dhe në këtë rast kandidatja e opozitës kishte një opinion krejt tjetër rreth kësaj marrëveshje dhe për mënyrën se si do të hynim në Union dhe Aleancë. Por pak a shumë vite më parë ne kemi arritur një konsensus shtetëror për këto çështje dhe ato nuk janë keqtrajtuar apo keqinterpretuar gjatë periudhave zgjedhore. Por është e qartë që entuziazmi europian mes qytetarëve të thjeshtë është në rënie, gjthmonë kemi qenë te 80-90 përqind. Anketa e fundit që kam parë ishte diku te 85%. Njerëzit janë për anëtarësim në BE dhe NATo dhe tani befas po thonë “ku është Europa? Pse nuk po e mbajnë premtimin?”. Ne duhet t’ia rinisim nga e para një fushate për t’i bindur njerëzit se kemi një rrugë të gjatë për të mbërritur atje, por kjo është e vetmja rrugë e dobishme, që ia vlen të shkohet.

Në vitin 2009, 10 vite më parë, Maqedonia ishte në të njëjtën situate, ku Shqipëria dhe Kroacia u bënë anëtare të NATO-s, Maqedonia mbeti pas. Por vendi në atë kohë ndryshoi drejtim. A shihni rrezikun që pas vendimit të Këshillit, vendi mund të shoh për alternativa të tjera dhe në këtë aspekt aktorët e 3-të të përmendur si Rusia, Kina, Turqia, Arabia Saudite, a mendoni se do të kenë më shumë vend, hapësirë dhe rol për të luajtur në rajon?

Kemi kaluar periudha të vështira politike gjatë qeverisjes së mëparshme të Gruevskit, pasi u refuzua anëtarësimi në NATO në 2008-ën. Ne nuk do të kërkojmë alternativa dhe mundësi të tjera. Le të jemi të ndershëm për këtë. Ndoshta po flitet aty-këtu, por po flitet në periferi të debatit politik. Atëherë, çfarë ndodhi pas vitit 2008 në vendin tim?! Ne u futëm në një regjim autokratik klasik. Ky është rreziku real sërish. Tani nuk po them që opozita e sotme nëse do të fitoj zgjedhjet e ardhshme parlamentare, do të shohë për mundësi të tjera, për në Azi apo për në organizata të tjera apo në Lidhjen e të Paangazhuarve, sepse gjatë viteve kur ishte Gruevski kjo kthehej në çështje herë pas here…Por sigurisht ekziston mundësia nëse nuk kemi vlerësues të jashtëm që të na thonë “nuk po veproni mirë në këtë apo atë fushë” apo të na thonë “kjo nuk është në përputhje me parimet dhe vlerat europiane”. Pra, ende mund të shfaqen disa tendenca autokratike dhe atëherë europianët do të kenë arsye të mjaftueshme për të thënë “jo, nuk mund të kualifikoheni për anëtar të BE-së”.

 

Pasi u zgjodhët President ju thatë se e shkuara e errët është lënë pas falë maturisë dhe mendimit të zgjuar të njerëzve tanë. Çfarë prisni ju nga vullneti i votuesve në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare?

Ky është një lloj tjetër zgjedhjesh. Duke qenë se tashmë unë jam President nuk do të doja të gjykoja apo të parashikoja se cili do të ishte rezultati I tyre. Por ajo që është e rëndësishme për mua dhe për vendin tim është se kjo është rruga, integrimi euro-atlantik duhet të jetë qëllimi ynë përfundimtar. Dhe duhet të përpiqemi vetëm për këtë. E kam thënë sepse për herë të parë në historinë tonë si një vend i pavarur njerëz dhe qytetarë nga të gjitha shtresat, sigurisht njerëz nga të gjitha etnitë kanë votuar për mua. Kam bërë fushatë për BE-në, NATO-në dhe çështje të brendshme shumë të rëndësishme për ne, kam bërë fushatë për ligjin për gjuhët. Gjithmonë duke predikuar për barazi të plotë mes njerëzve, pavarësisht etnisë së tyre, besimeve fetare apo lidhjeve partiake. Dhe rezultati përfundimtar tregoi se unë i mora realisht votat nga të gjitha etnitë. Kjo është shumë e rëndëssihme, jo për mua, por për vendin. Sepse Maqedonia e Veriut gjithmonë ka qenë një vend heterogjen sa i përket shpërndarjes etnike të popullsisë. Ne nuk jemi një vend etnikisht i pastër dhe këtë duhet ta mbajmë parasysh, sidomos njerëzit që kanë përgjegjësi dhe janë në poste politike.

  1. President. Pak ditë para mbledhjes së Këshillit Europian, në Novi Sad u zhvillua një takim mes 3 kryeministrave të rajonit, MAqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë. Aty u rishfaq ideja e një mini-shengeni. Pyetja është çfarë do të sjellë ky mini-shengen më shumë se sa marrëveshja CEFTA (marrëveshja e tregtisë së lirë), e cila është në fuqi që prej vitit 2006?

Kjo ishte pyetja e parë që unë I bëra kryeministrit Zaev në lidhje me këtë takim.

Dhe cila ishte përgjigja e tij?

Në parim, çdo nisëm që shkon në drejtim të bashkëpunimit rajonal, veçanërisht në fushën ekonomike dhe të tregëtisë është e mirëseardhur. Askush nuk duhet të jetë kundër kësaj. Por ne kemi CEFTA-n. Në pikëpamjen time CEFTA duhet rigjallëruar. Dhe nuk ka arsye të CEFTA-s të mos jetë funksionale. Por ka një rrezik që shoh në idenë e mini-shengenit dhe e kam thënë publikisht. Mini-shengeni është një ide e mirë, nëse pas kësaj ideje janë vetëm motivet ekonomike. Nëse Shengeni apo mini-shengeni, sido që ta quajmë, do të na ofrohet nga Brukseli si një lloj kompensimi në këmbim të anëtarësisë së plotë në BE, do të isha kundër kësaj ideje. Sepse e kam dëgjuar diçka të tillë nga disa cepa të shoqërisë europiane se EEA (zona europiane ekonomike) plus minishengeni mund të jenë një zëvendësues për anëtarësimin në BE. Duke patur parasysh këtë kontekst nga vendimi I fundit I Këshillit Europian-së do të isha shumë I kujdesshëm për këtë çështje.

Duke folur për rajonin, ende ka konflikte të pazgjidhura. Dy prej fqinjëve të Maqedonisë, Serbia dhe Kosova, ende nuk kanë arritur marrëveshje. Gjatë 18 muajve të fundit është diskutuar gjerësisht opsioni i shkëmbimit të territoreve. A mendoni se ka vdekur kjo ide?

Jo, ende jo. Ju e dini që kjo ide erdhi publikisht nga nivelet më të larta të mundshme politike, erdhi nga ish këshilltari për sigurinë kombëtare i presidentit amerikan, z. John Bolton. Ai tashmë nuk është pjesë e administratës për arsye krejt të tjera, por aty-këtu dëgjoj njerëz nga rajoni, politikanë, ekspertë, që ende rreken me këtë ide. Kjo është ide e rrezikshme.

 

Cilat janë argumentet që u jepni bashkëbiseduesve për t’i bindur se kjo është një ide e rrezikshme?

Së pari, nuk mund të ndjekësh shpërndarjen etnike të popullsisë në rajon. Nëse ti e nis diku, për shembull në Kosovë dhe do të vijosh pastaj me zona të tjera, çdokush e di që në Ballkanin Perëndimor dhe në Europë në vetvete, ne jemi heterogjen në pikëpamjen etnike dhe fetare. Prandaj teza ime kryesore është se do të doja të shihja që problem I Kosovës, problem ndërkombëtar i Kosovës të zgjidhet. Pse?! Sepse të dy këto vende janë fqinjët tanë të drejtpërdrejt. Ne kemi vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën. E njëjta gjë me Serbinë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne që të kemi marrëdhënie dypalëshe shumë të mirë me të dy vendet dhe për ata që të kenë marrëdhënie shumë të mira dypalëshe me njëri-tjetrin. Por nuk është gjë e mirë që të mbyllësh një problem, problemin e Kosovës dhe të hapësh 2 apo 3 probleme të tjera në rajon.

Le të flasim pak për besueshmërinë e BE-së tashmë në raport me çështjen mes Kosovës dhe Serbisë. A ka më peshë fjala e BE-së?

Ju e dini, sikundër dhe unë, që rreth 30 vitet që kanë kaluar na kanë treguar se pa një përfshirje serioze të SHBA-së nuk është e mundur që BE e vetme të zgjidhë krizat dhe problemet e kësaj natyre. Ne patëm një krizë tonën në vitin 2001, patëm konflikt në territorin tonë dhe pas kësaj nënshkruam marrëveshjen kornizë të Ohërit dhe atëherë ndërmjetësuesi i BE-së punonte ngushtësisht me ndërmjetësin amerikan. Unë nuk mendoj që pa një përfshirje aktive nga Uashingtoni, do të shohim një zgjidhje të qëndrueshme të këtij procesi.

Le të flasim pak për marrëdhëniet me Shqipërinë. Vitin tjetër është 25 vjetrori I nënshkrimit të memorandumit të kooridorit 8-të nga Presidenti Klinton I SHBA-së, Presidenti Zhelev I Bullgarisë, Presidenti në detyrë Andov dhe Presidenti Berisha. Nëse dikush ju pyet sot, çfarë kanë bërë/arritur 4 vendet gjatë këtyre 25 viteve, cila do të ishte përgjigja juaj?

Asgjë.

Pse?

Kam qenë Këshilltar I Sigurisë Kombëtare i Presidentit të ndjerë Traikovski dhe në atë kohë bisedonim me Presidentin Moisiu, të cilin do ta takoj sot, rreth të njëjtës çështje, kooridorit 8. Ishte e qartë, është e qartë dhe sot, që është një projekt madhor që kërkon burime të mëdha financiare dhe për fat të keq të tre vendet që jemi në këtë kooridor nuk I kemi, por ndërkohë, me aq sa shoh unë, as një investitor i madh apo vend i madh nuk ka qenë pas nesh me qëllim që ta shtynte sado pak përpara këtë project. Për fat të keq, ajo që unë kam mësuar që prej kohës që jam president, që nga Maji i këtij vtiti, nuk po shoh se po ndryshon diçka thelbësore në këtë drejtim dhe ne ende duhet të presim…

Ju kërkoj ndjesë që po ju ndërpres. Për të udhëtuar nga Shkupi në Tiranë këto ditë, google të sugjeron një rrugë tjetër, përmes Kosovës. Është një shtet i ri dhe kanë arritur shumë, të paktën përsa i takon infrastrukturës. Pse infrastruktura që lidh drejtpërdrjet Shqipërinë dhe Maqedoninë është shumë e keqe krahasuar me infrastrukturën që lidh Maqedoninë me vende të tjera?

Për shkak të udhëheqjes politike në të dy vendet. Nuk po flas vetëm për udhëheqjen politike të sotme. Po flas për lidershipin politik gjatë 20 viteve të fundit. Nuk kemi asnjë justifikim për këtë.

Po ndjek tëeeter-in tuaj zyrtar që është në maqedonisht, anglisht dhe shqip. A keni menduar ndonjëherë të mësoni gjuhën shqipe?

Unë di pak shqip. Kam qenë politikani i parë i etnisë maqedonase në historinë e vendit tim që kam folur shqip në spot elektoral në vitin 2014, kur isha për herë të parë kandidat për president.

A do t’i nxisnit maqedonasit të mësonin gjuhën shqipe, tani që përdorimi i gjuhës shqipe nuk ka kufizim gjeografik në vend?

Po, pse jo?! Unë nuk jam në një moshë që të filloj të mësoj gjuhë të re. Për fat të keq unë jam 56 vjeç. Po pse jo?! Është gjithmonë një gjë e mirë të dish shumë gjuhë në jetë.

“Një shoqëri për të gjithë” është motoja e partisë në pushtet. Situata e popullsisë shqiptare në Maqedoni është përmirësuar shumë së fundmi, por pyetja është a ndjehen ata të barabartë si qytetarët e etnisë maqedonase?

Unë nuk mund të flas në emër të tyre, por më duket se me shumë ligje dhe me ndryshimin e Kushtetutës, që nga viti 2001 dhe me pothuaj zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit kemi arritur shumë. Sigurisht ne po ecim në drejtimin pozitiv duke u përpjekur t’i përmirësojmë statusin dhe të drejtat e tyre dhe mund të them se edhe raporti i fundit i Komisionit të Venecias, ne u kemi dërguar atyre ligjin për gjuhët për t’u kërkuar opinion dhe ata na thonë sa i përket politikave në fushën e gjuhësisë ne jemi mbi nivelin e BE-së. Ky është një vlerësim për një vend të vogël, me burime të kufizuara dhe me një demokraici të re.

Po ju citoj raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit të vitit 2018. “Shqiptarët etnik vijojnë të kritikojnë përfaqësimin e pabarabartë në Ministritë dhe Entet publike sikundër edhe shpërndarjen e pabarabartë të buxhetit”.

Shkurtimisht po ju jap disa shifra. Në vitin 2001 ne kishim vetëm 2.1% të shqiptarëve të punësuar në administratën publike në nivele dhe departamente të ndryshme. Sot kemi afro 19%. Dhe po ju them diçka në fushën që është përgjegjësia ime direkte. Për herë të parë në historinë tonë si vend, unë kam emëruar një shqiptar Drejtor të Agjencisë së Zbulimit dhe sot në Tiranë unë kam Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, një pozicion mjaft Iirëndësishëm, që është shqiptar. Plus, ndoshta kjo nuk është ende e njohur për publikun në Maqedoni apo për një audiencë më të gjerë, së fundi unë kam emëruar një shqiptar si komandant të një njësie shumë të rëndësishme në ushtrinë maqedonase.

President ju faleminderit qe ishit në këtë intervistë për Televizionin Publik Shqiptar.

Faleminderit për ftesën!