Leçe dhe VAR-i i bën “gjëmën” Juventusit, kampionët ngecin në transfertë

Duhej të ishte një trepikësh i lehtë, por rezultoi një barazim i hidhur. Juventusi shkonte në Leçe pa Kristiano Ronaldon e lënë pushim dhe me shumë prej titullarëve në stol, por në fund janë thyer me buzëqeshje të ngrirë në shtëpi, pavarësisht një dominimi total të bardhezinjve, që gjithçsesi nuk mundën të shkonin më shumë sesa një barazim 1-1.

Juventusi dominon 90 minuta, por nuk çan dot. Rastet për shënim janë të shumta, aksionet e rrezikshme të panumërta. Në pjesën e parë Higuain do të shënojë gol, por VAR-i e anulon për pozicion jashtëloje, ndërsa në disa raste bardhezinjtë pretendojnë kontakte në zonë, që nuk merren në konsideratë nga gjyqtari Valeri.

Megjithatë në pjesën e dytë VAR-i akordon një penallti për Juventusin pas faullit ndaj Pjaniçit në zonë, ndërsa Dibala e kthen në gol në minutën e 50-të. Sërish VAR-i protagonist në minutën e 56-të, kësaj radhe në favor të Leçes, që jep një penallti për të zotët e shtëpisë pas prekjes së topit me dorë nga De Ligt. Mankosu barazon. Më pas është një sulm frontal i Juventusit, por ato që shpërdoron Bernardeski janë të pabesueshme, sidomos kur me portën bosh godet shtyllën.

Pavarësisht volumit të madh, sulmet e Juves nuk konkretizohen dhe bardhezinjtë lënë pikë duke i dhënë kështu mundësi Interit të rikthehet në krye të kampionatit nëse mposht Parmën në sfidën që do të luhet në orën 18:00.