Noka: T’i besosh Ramës reformën zgjedhore, njësoj si t’i besosh ujkut të ruajë delet

Ish-deputeti i PD, Flamur Noka, i ftuar në ”A2Cnn”, theksoi se Partia Demokratike nuk e njeh komisionin e reformës zgjedhore, pasi siç thotë ai, me Edi Ramën nuk mund të bëhet kjo reformë. Noka theksoi se që prej korrikut, PD-ja është marrë me vetveten duke riorganizuar strukturat në të gjithë vendin, ndërsa pas datës 18 tetor situata ka ndryshuar. Noka nuk përjashton edhe protestat.

“Shoqëria shqiptare është tërësisht në depresion”

“Opozita nuk e ka penguar asnjëherë rrugën e konsensusit. Kundër zgjidhjes së krizës është vetëm Edi Rama. Praktikisht, jo vetëm reforma zgjedhore, por sot e gjithë Shqipëria është në krizë shumëdimensionale. Shoqëria shqiptare është tërësisht në depresion. Kjo situatë ka agravuar gjatë kohëve të fundit. Reforma zgjedhore është çështje e vullnetit politik dhe vullneti unë është i plotë”.

“Komisioni i reformës zgjedhore është ‘nul’, si vëzhgues nuk kemi asnjë të drejtë”

“Komisioni i reformës zgjedhore për ne është ‘nul’ sepse nuk jemi. Gjysma e shqiptarëve votoi PD-në dhe aleatët. Shumica e shqiptarëve nuk është e përfaqësuar në këtë komision. Këta mundohen të hedhin hi syve, duke thënë: ejani si vëzhgues. Kur je vëzhgues nuk ke asnjë të drejtë. Qëndrimi ynë është publik dhe këtë komision nuk e njohim. Duhet vullnet nga të dy palët. Ne kemi 3 grupe pune për të përpiluar një draft dhe më pas të krijohet një komision”.

“T’i besosh Ramës reformën zgjedhore është njësoj si t’i besosh ujkut të ruajë delet”

“Opozita do të marrë masat e saj. Ne jemi të pandryshueshëm në qëndrimin tonë. T’i besosh Ramës reformën zgjedhore dhe të bëjë zgjedhje, është njëlloj si t’i besosh ujkut të ruajë delet”.

“Nga korriku jemi marrë me vetveten, prej 18 tetorit situata ka ndryshuar”

“Ne kemi që nga korriku që jemi në një fazë riorganizimi të strukturave të PD në të gjithë vendin. Jemi marrë me vetveten duke u përgatitur për zgjedhjet. Pas datës 18 situata ka ndryshuar sepse u refuzua Shqipëria dhe për faj të kësaj qeveria u refuzua edhe Maqedonia e Veriut. Rama e ka detyrë parësore dhe primare të zbatojë 9 kushtet që Bundestagu i ka vendosur. Pa ato Shqipëria bën vetëm mbrapa. Por ne nuk shohim këtë vullnet për të zbatuar këto kushte. Kjo duket te reforma zgjedhore”.