Lulzim Basha: Jemi gati për zgjedhje të parakohshme që nesër!

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare duken se janë afër pasi, ndonëse kryeministri thotë se nuk do të ketë zgjedhje, nëpër ministri të ndryshme dhe  disa anëtarë kryesie të PS thonë nëpër kafene se “kryeministri na ka thënë të përgatitemi pa zhurmë për zgjedhje”. Ndaj opozita të jetë gati që të mos gjendet para faktit të kryer, të cilin Edi Rama po e mendon që t’i gjejë të papërgatitur partitë e opozitës. Të gjitha rrugët të çojnë në zgjedhje të parakohshme pranverën e vitit 2020.

Kryeministri Edi Rama, pas dështimit me negociatat në BE, ka hedhur poshtë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme. Rama nuk pranoi të ndjekë as modelin e mikut të tij Zoran Zaev në Maqedoninë e Veriut që shpalli zgjedhjet 24 orë pas vendimit të Këshillit të Europës. Sipas kreut të qeverisë, situata nuk është për zgjedhje pasi BE nuk refuzoi qeverinë e tij, por kishte probleme brenda saj. Argumenti tjetër i kreut të qeverisë është se duhet bërë më parë reforma zgjedhore, si kërkesë e ndërkombëtarëve, dhe me këtë mënyrë pret që opozita të bojkotojë edhe këtë reformë. Dje opozita ka bërë një hap para drejt reformës zgjedhore duke rrëzuar alibinë e radhës së Edi Ramës. PD, së bashku me aleatët kanë ngritur një grup pune që do të merret posaçërisht me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Lëvizja vjen më tepër si një përgjigje ndaj shqetësimit të ndërkombëtarëve, pasi realisht të gjithë e dinë se problem nuk është Kodi Zgjedhor në Shqipëri, por kontrolli i qeverisë me banda mbi proceset zgjedhore. Ndryshimet në ligjin elektoral kanë dhe një tjetër ngërç që lidhet me mënyrën sesi qeveria po tenton ta përdor këtë reformë. Në Kuvend nuk ka më përfaqësues të opozitës, por maironeta politike të qeverisë që prezantohen si “opozitarë”. I takon qeverisë tani të tregojë rrugën sesi një reformë e tillë do të kalojë në Kuvend me konsensus mes opozitës reale dhe PS-së. Sepse votat e Kujtim Gjuzit dhe të tjerëve, nuk mund të përdoren për të certifikuar një reformë politike, vetëm që Rama të thotë se e bëri me konsensus. Opozita reale i ka bërë propozimet e saj për mënyrën sesi duhet ndryshuar ligji zgjedhor. Qeveria dhe PS tani duhet të tregojnë nëse e kanë seriozisht kur flasin për konsensus dhe reforma. Justifikimi se kësaj reforma i duhet kohë deri në dhjetor apo më vonë është një mashtrim më tepër. Në vitet e mëparshme, Kodi Zgjedhor kur të gjitha palët kanë qenë dakord është ndryshuar brenda javës dhe brenda ditës, pa pasur asnjë emergjencë siç është situata aktuale. Jo vetëm për negociatat, por për gjithë problemet e tjera që ka Shqipëria me Parlamentin, drejtësinë dhe korrupsionin, vendit i duhen zgjedhjet e parakohshme. Kreu i PD-së, Lulzim Basha hoqi dje çdo dyshim lidhur me qëndrimin e opozitës në këtë pikë. Sipas tij, opozita është gati të hyjë në zgjedhje të parakohshme që nga dita e nesërme. “Ne jemi gati të shkojmë në zgjedhje të parakohshme që nesër. Kushti i vetëm i opozitës, për të cilën kemi bërë një betejë, është që shqiptarëve t’u garantohet liria e votës. Shqipërisë i duhen zgjedhje të parakohshme shumë më shumë sesa Maqedonisë”,- deklaroi kreu i PD-së. Basha shtoi se zgjedhjet e parakohshme në Shqipëri janë më të nevojshme edhe sesa ato në Maqedoni. “Në rastin e Shqipërisë, zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja rrugë për të kthyer legjitimitetin e një parlamenti, që tashmë është dëshmuar që është produkt i bashkëpunimit të Partisë Socialiste, të Edi Ramës me bosët e krimit të organizuar. Këtë nuk e thotë thjesht dhe vetëm opozita shqiptare apo ato pak zëra të pavarur të medias shqiptare, tashmë, këtë e thonë politikanët europianë, e thonë vendimmarrësit europianë, e thotë media europiane”,- deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Vendi është në krizë politike për shkak të mungesës së parlamentit legjitim. Në krizë institucionale për shkak të rënies së gjykatave dhe në krizë ligjshmërie të pushtetit vendor dhe tashmë atij qendror. Zgjidhja janë vetëm zgjedhjet e parakohshme në mënyrë institucionet të rifitojnë legjitimitetin.  Nëse kryeministri nuk pranon, opozita ka detyrë ta detyrojë të shoh të vetmin shpëtim zgjedhjet e parakohshme.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare duken se janë afër pasi, ndonëse kryeministri thotë se nuk do të ketë zgjedhje, nëpër ministri të ndryshme dhe tek disa anëtarë kryesie të PS flitet se “shefi na ka thënë të përgatitemi pa zhurmë për zgjedhje”. Ndaj opozita të jetë gati që të mos gjendet para faktit të kryer, të cilin Edi Rama po e mendon që ti gjejë të papërgatitur partitë e opozitës.

Mili Xhani