Vllaznia fiton në Vlorë dhe ngjitet në vendin e dytë në renditje

Vllaznia ka arritur që të marrë një fitore shumë të rëndësishme 3-1 në transfertën ndaj Flamurtarit, duke thelluar edhe më shumë krizën e rëndë të këtyre të fundit. Shkodranët e nisën mjaft mirë ndeshjen, teksa në minutën e 31-të, mbrojtësi nga Maqedonia e Veriut, Filip Gligorov shpërtheu nga e djathta, hyri bukur në zonë dhe shërbeu saktë për Krujën, që me portën e boshatisur, e pati të lehtë të shtyjë topin në rrjetë.

 

Megjithatë vetëm dy minuta më vonë vlonjatët rikthyen baraspeshën me golin e shkodranit Xhevahir Sukaj, që gjithashtu shtyu topin në rrjetë me portën e boshatisur, pas një grushtimi të portierit të Vllaznisë Alen Sherri. Goli i barazimit u dha zemër futbollistëve të Flamurtarit, që filluan të ndërtojnë aksione të rrezikshme, por gjithçka u prish nga mesfushori Deliaj, që u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe la skuadrën me 10 vetë.

Në minutën e 72-të, Vllaznia fitoi një goditje në afërsi të zonës dhe shkodranët ekzekutuan mirë një skemë, teksa Krymi do të arrinte që të realizonte. Në minutat shtesë shkodranët zbritën në një kundërsulm të shpejtë dhe ishte braziliani Da Silva, që dribloi bukur Zeqajn dhe i vetëm me portierin Moçka, shënoi golin e tretë, duke vulosur fatin e takimit. Me këtë fitore Vllaznia u ngjit përkohësisht në vendin e dytë me 15 pikë, një më pak se Bylis dhe po aq sa ka edhe Teuta.