Siguria e ashensorëve, kontrolle për kushtet teknike

Ndërgjegjësimi i biznesit dhe publikut është me rëndësi të veçantë jo vetëm për sigurinë ushqimore, por edhe për produktet jo ushqimore. Për këtë qëllim, Inspektoriati i Mbikëqyrjes së Tregut, një strukturë në varësi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë është duke zbatuar një plan të detajuar masash. Gjatë një inspektimi të zhvilluar nga zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Belinda Ikonomi dhe Kryeinspektori i ISHMT-së, Lavdrim Sahitaj në një prej qendrave tregtare në kryeqytet u theksua rëndësia e mbikëqyrjes së tregut për këtë kategori produktesh, veçanërisht për ashensorët.

“Rregullat teknike lidhen kryesisht me sigurinë e konsumatorëve dhe cilësinë e standardeve që ne synojmë të arrijmë. Pas ndryshimeve të fundit ligjore, mbi ashensorët e rinj dhe ato që janë në përdorim të miratuara këtë muaj, ISHMT po ushtron kontrolle për zbatimin e kushteve teknike nga ana e instaluesve, mirëmbajtësve dhe ndërtuesve, të cilët kanë nën përgjegjësinë e tyre këto pajisje”, tha zv/min Ikonomi.

Sahitaj theksoi se rregullat teknike, mënyra e certifikimit, shërbimet e mirëmbajtjes, si dhe inspektimet periodike kanë për qëllim regjistrimin e çdo ashensori, deklaratën e përpuethshmërisë sipas standardeve, si dhe funksionimin sipas kushteve teknike. ISHMT aktualisht është duke kryer inspektime në të gjithë vendin, ndërsa i bën thirrje personave përgjegjës dhe importuesve të marrin masa për plotësimin e kritereve teknike dhe inxhinierike të instalimeve. Ekzaminimi i plotë i ashensorëve ekzistues, të vendosur në shërbim pritet të përfundojë në 31 dhjetor 2020.