Si u arratis bosi mafioz turk në vitin 2011, gazetarja pyet: A po hetohen lidhjet e tij me politikën?

Gazetarja e kronikës, Klodiana Lala hedh dyshime të forta mbi lidhjet me politikën shqiptare të bosit mafioz turk Abdulselam Turgut, që u arrestua me akuzën e pjesëtarit të celulës terroriste që kishte planifikuar një sul ditën e Novruzit.

“Abdulselam Turgut ka lidhje të forta me biznesmenë të njohur në vendin tonë. U lirua vite më parë nga Gjykata e Apelit me masën e arrestit shtëpiak, në një kohë që në Shqipëri nuk kishte adresë. Lirinë ja mundësuan miqtë e tij shqiptarë që paguan miliona. Dosja e tij në Policinë e Shtetit u rihap dy vite më parë dhe një portal shkroi për disa detaje. Për këtë shkak u pezullua nga puna edhe një oficere, me dyshimin se zbuloi të dhëna sekrete. Në fakt, nuk ishte ajo që e nxori sekretin. Atë gjë e bëri dikush tjetër. Zhurma u shua shpejt, sepse mesa kuptova sërish ai bosi me dy emra veproi në mënyrën e tij.

Tani ky trafikanti na rezulton i përfshirë me rrjet terrori.

Te Krimet e Rënda ka një dosje të hershme për këtë.

Pyetja është: A po hetohet biznesmeni dhe lidhjet e tij me politikën????”, pyet gazetarja Klodiana Lala përmes rrjeteve sociale.

Arratisja

Abdulselam Turgut u arrestua në Shqipëri në vitin 2011 në lidhje me trafikimin e dyshuar të rreth 1 ton heroinë.

Bosi mafioz turk u vu në pranga më 18 shkurt të atij vitit në Rinas për llogari të drejtësisë gjermane.

Por ai doli nga burgu pas një vendimi të Gjykatës së Apelit. Apeli ndryshoi masën nga “arrest me burg” të dhënë nga Gjykata e Tiranës në masën “Arrest shtëpie” në një godinë të ndodhur në zonën e Kthesës së Kamzës.

Turgut pas daljes nga burgu u zhduk nga banesa dhe u arratis duke përdorur një pasaportë false.

Raportohej se turku kishte përdorur disa linja për dërgimin e heroinës në vendet perëndimore.

Pikënisja e të gjitha linjave ishte Truqia dhe më pas niste në të ashtuquajturën “linja e Ballkanit”. Droga paketohej dhe përpunohej në Turqi, nisej drejt Greqisë dhe më pas nëpërmjet Shqipërisë përfundonte në Itali. Ndërkohë, linja e “qendrës” niset sërish nga Turqia, shkon në Bullgari, Maqedoni, Serbi, Mali i Zi, Bosnja, Kroaci, Slloveni dhe përfundon sërish në Itali ose Austri.

Ndërsa linja e “veriut” niset nga Turqia, kalon në Bullgari e Rumani për të përfunduar në Austri, Hungari, Çeki, Poloni dhe përfundon në destinacion në Gjermani.

Turgut, i njohur kreu i një rrjeti të fuqishëm ndërkombëtar të trafikut të drogës, është burgosur së fundmi në Azerbajxhan dhe në Turqi me akuza për trafik droge. Ai ka gjithashtu lidhje të vjetra me krimin e organizuar në Shqipëri. Nërsa është liruar nga një burg në Turqi në fund të vitit 2018.