Shqiptari i kërkon shkollës 400 mijë euro dëmshpërblim

Klasa e tij kishte organizuar ekskursionin e fundvitit, që shumë prej nxënësve pret qysh nga fillimi. Destinacioni ishte nga më ndjellësit në absolut për adoleshentët, Amsterdami. Një të riu shqiptar që studionte në shkollën e mesme të Sansepolcros, në afërsi të qytetit italian të Arezzos, kjo mundësi iu refuzua. Jo sot, por 12 vjet më parë, dhe arsyeja ishte mesatarja e ulët. Atë zhgënjim dhe turp Endri Begaj nuk e ka harruar kurrë, dhe sot që është 32 vjeçar vazhdon një betejë gjyqësore me shkollën e tij të hershme.

Shqiptari së bashku me avokatin e tij pretendojnë se nga ai vendim u gjeneruan konflikte të ashpra që përfunduan në përjashtimin e shqiptarit nga shkolla. Sot ai kërkon një dëmshpërblim që shkon në shifrën 400 mijë euro, pasi sipas tij përjashtimi i kushtoi mundësinë shkollimit, miqësitë vjetra dhe gjetjen e një pune dinjitoze.

Rasti u bë i famshëm edhe disa vite më parë, dhe shkoi deri në Parlament, ku u citua gjatë një debati si shembull i thyerjes së të drejtës kushtetuese. Ditët e fundit Gjyqësia italiane ka vendosur që të transferojë çështjen nga Gjykata Administrative në atë Civile, me shpenzimet që i ngarkohen vetë shkollës. Ndoshta kërkesa e shqiptarit që fillimisht dukej thjesht kurioze mund t’ i hapë rrugën shumë të tjerave.