Monodramë bazuar mbi romanin e Franc Kafkës “Amerika”, Produksion i Teatrit Thalia Hamburg

Karl Rosman, djaloshi adoleshent, i cili i joshur nga shërbyesja, u bë papritur baba, detyrohet nga prindërit që të lërë Gjermaninë e të emigrojë në Amerikë. Pa vënë mirë këmbë në tokë përballet me të papriturat e para ndërkohë që nga larg ka soditur Statujën e Lirisë dhe afrimin drejt një të panjohure të madhe siç ishte Amerika dhe liria e papritur e frika e lidhur me të.

“Amerika” përtej qënies Amerika vjen në këtë shfaqje si ideja e emigrimit në vetvete dhe emigrimi si mundësia për të realizuar ëndrrat por emigrimi edhe si detyrim për t’u larguar nga e shkuara, detyrim që të bën të njohësh botën nga anët e saj më të errëta e në këtë njohje të zbulosh vullnetin tënd për të dalë mbi realitetin e rëndë, për ta kërkuar mundësinë e jo për të pritur për të, për të guxuar përballjen e jo për të pranuar në pafundësi shtypjen, degradimin e rëndomtësinë e përcaktuar nga rrethanat.

E gjithë kjo, si për Karl Rosmanin si personazh ashtu edhe për shikuesin anonim, përbën një mundësi për të kuptuar kufijtë e vetes e për t’i zgjeruar e pse jo për t’i mposhtur ato, duke zbuluar në këtë proces vlera të rëndësishme universale si liria, dinjiteti njerezor, individualizmi e humanizmi në të njëjtën kohë, gjithashtu edhe talentet e panjohura brenda vetes, shpresën për më mirë dhe forcën për të ndryshuar realitetin.

Për publikun shqiptar të përballur me temën e emigracionit në gjithfarësoj mënyrash e përmasash, një rast i mrekullueshëm artistik për ta njohur ketë temë universale nga një këndvështrim tjetër, me një tjetër estetikë e gjuhë. Aktori me origjinë shqiptare Bekim Latifi sjell kështu një personazh që ai vetë si aktor i lindur nga emigrantë e njeh nga brenda në mënyrë të plotë e ajo që del prej tij me këtë rol mund të jetë vetëm e tillë, një përjetim i plotë, pranë realitetit e i lartë artistikisht.

Teatri Thalia Hamburg sjell me shfaqjen “Amerika” të parin produksion gjerman për skenën teatrore shqiptare dhe kjo në kushte krejt të pazakonta. Ekipi i këtij teatri, një prej kryesorëve në Gjermani, i bashkohet me këtë rast përpjekjeve të artistëve dhe qytetarëve shqiptare për të mbrojtur Teatrin Kombëtar dhe vendos qëllimisht të bëhet pjesë e Festivalit për Mbrojtjen e Teatrit për të dhënë një shenjë për botën teatrore gjermane, shqiptare e mbarëeuropiane që shqiptarët nuk duhen lënë vetëm në këtë përpjekje e qëndresë të drejtë.

Shfaqja do të jepet në gjuhën gjermane. Teksti është përkthyer në shqip nga Lindita Komani dhe në formë të titruar ai do të shoqërojë paraqitjen skenike.