Kryeson Kategorinë Superiore, trajneri i Bylisit: Do të bëhemi edhe më të fortë!

Bylis është skuadra surprizë e këtij sezoni, teksa ka arritur që të mbajë vendin e parë në fazën e parë, duke grumbulluar 16 pikë në 9 dulet e para. Kjo ka befasuar edhe vetë trajnerin Marko Dovedan.

 

Në përfundim të sfidës së fituar 3-1 ndaj Tiranës, tekniku i mallakastriotëve pranoi se skuadra mund të shkojë më lart, kur të rikthehen në dispozicion edhe futbollistët e dëmtuar.

“Kishim si objektiv për të qëndruar në Superiore, por kjo fitore tregoi se mund të synojmë më lartë, pse jo të shkojmë në Europë. Kemi lojtarë që janë të dëmtuar dhe kur të kthehen ata, ekipi do të bëhet më i fortë. Nuk i studioj shumë ekipet e tjera, por i kërkoj ekipit që gjithmonë të jetë agresiv dhe të bëjë presing lartë”, u shpreh Dovedan.