Hong-Kong tërheq ligjin për ekstradimet drejt Kinës

Hong-Kongu ka vendosur të tërheqë formalisht ligjin që shkaktoi trazirat më shumë se 5 mujore në qytet.

Revokimi i nismës ligjore për ekstradimin e banorëve drejt Kinës dhe gjykimin e tyre nga institucionet kineze të drejtësisë pritet të zbutë tensionet sociale.

Aksioni për më shumë të drejta demokratike pritet të vijojë.

“Qeveria ishte shprehur disa herë se ligji nuk do të hynte në fuqi. Për arsye të kundërvënies publike dhe konflikteve që ka nxitur në shoqëri, tani po e tërheqim atë formalisht,”-deklaroi në parlament ministri për sigurinë, Xhon Li.

Ndërkohë, personi që u bë shkaktar për përpilimin e nismës për ekstradimet, duke refuzuar fillimisht t’i dorëzohej autoriteteve të Tajvanit për akuzën e vrasjes të të dashurës së tij, u lirua të mërkurën nga burgu.

Chan Tong-kai i kërkoi ndjesë familjes së viktimës dhe u tregua i gatshëm të gjykohet tani për gabimin e kryer.

Protestat dhe rrëmujat e nisura nga mesi i qershorit kundër influencës kineze pritet t’i kushtojnë edhe guvernatores aktuale të Hong-Kongut, Carrie Lam.

Mediat raportojnë se Pekini po planifikon ta zgjidhë krizën antiqeveritare duke e zëvendësuar guvernatoren Lem me një drejtues të përkohshëm brenda marsit të vitit të ardhshëm.

Zëdhënësja e ministrisë së jashtme kineze e konsideroi lajmin një thashethem politik, ndërsa apeloi rajonin t’i largohet dhunës dhe rikthehet rendit sa më shpejt.