Behgjet Pacolli thirrje të rinjve shqiptarë e kosovarë: Bëni durim, e ardhmja përgatit surpriza

Largimi i të rinjve shqiptarë drejt vendeve të BE tashmë është një problematikë për Shqipërinë dhe Kosovën.

Zv/kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli mori pjesë në ceremoninë se 25 vjetorit të krijimit të Universitetit të Vlorës, ku tha se të rinjtë duhet të bëjnë durim pasi një e ardhme e ndritur i pret.

Behgjet Pacolli: “Jashtëzakonisht më shqetëson ikja e rinisë tonë nga Shqipëria e Kosova. Dua t’ju them që kini durim edhe pak se e ardhmja përgatit surpriza të cilat flasin për të ardhmen e rinisë dhe të ardhmen duhet ta gjejnë këtu.”

Universiteti i Vlorës është pjesë e 400 universiteteve më të suksesshme në Evropë. Sipas rektorit Roland Zisi është merita ndër breza e dekanëve, akademikëve dhe profesorëve.

Roland Zisi: “Universiteti ‘Ismail Qemali’ është një vepër e spikatur arsimore e njerëzve që e ideuan, zhvilluan dhe konsoliduan atë ndër vite.”

Por ndryshe nga vitet e tjera në disa universitete të vendit, përfshirë atë të Vlorës janë mbyllur disa programe studimi për shkak të numrit të ulët të studentëve.