Pasuria e shqiptarëve është rishpërndarë! – Të varfrit kalojnë te shtresa e mesme, “fryhen” të pasurit, zbulohen milionerët

Të dhënat më të fundit të `Credit Suisse` sa i përket pasurisë tregojnë jo vetëm një pasurim të shqiptarëve në harkun e një viti, por edhe një forcim të ndjeshëm të shtresës së mesme, tkurrje të shtresës më të varfër, si dhe për herë të parë praninë e milionerëve. Kështu, një vit më parë, shtresa e mesme, pra ata me një pasuri nga 10 mijë deri në 100 mijë dollarë vlerësohej në 42.4% të popullsisë së rritur, ndërsa sot në 57.9%.

Janë 1.3 milionë të rritur shqiptarë që vlerësohen si shtresë e mesme, nga rreth 900 mijë një vit më parë. Pra, rritja është drastike dhe tregon se shtresa e mesme është rritur me 370 mijë të rritur në harkun e një viti.  Kjo përkon ekzaktësisht me tkurrjen e të varfërve. Ata me një pasuri nën 10 mijë dollarë vlerësoheshin në 56% të popullsisë së rritur një vit më parë, ndërsa sot në vetëm 38%, ose 377 mijë më pak. Pra, duket se ata që janë larguar nga shtresa më e varfër e popullsisë janë bërë pjesë e shtresës së mesme, sipas të dhënave të `Credit Suisse`.

Pjesa më e varfër e popullsisë numëron 850 mijë individë të rritur, sipas këtij raporti të bankës zvicerane.  Sa i përket të pasurve, ata me një pasuri nga 100 mijë deri në 1 milionë dollarë, nga 1.6% e popullsisë së rritur që ishin vjet, tashmë vlerësohen në 3.9% të popullsisë së rritur, ose në rreth 88 mijë individë, nga 36 mijë një vit më parë. Risia tjetër e raportit është numri i milionerëve, pra të atyre që kanë një pasuri mbi 1 milionë dollarë.

Për herë të parë në raportin e Credit Suisse, kjo normë për vendin tonë, është ndryshe nga zero, në 0.1% të popullsisë së rritur. Kjo do të thotë se, janë 2250 individët në vendin tonë që kanë një pasuri mbi 1 milionë dollarë.  `Credit Suisse` llogarit jo vetëm pasurinë cash të individëve, por edhe pasurinë jo-financiare, që në pjesë dërrmuese i referohet pronave të paluajtshme. /Scan