Parkut Kombëtar të Qafë-Shtamës iu shtuan 100 fidanë pishe

Në Parkun Kombëtar të Qafë-Shtamës, i cili ofron një mozaik natyror dhe kulturor për qindra pushues, u mbollën sot 100 fidanë pishe.

Këto pemë u mbollën në kuadër të ditës botërore të mbjelljes së pemëve nga punonjësit e Administratës së Zonave të Mbrojtura Durrës së bashku me nxënësit e shkollës 9-vjeçare Cudhi.

Puna e bërë nga ADZM Durrës ditët e fundit u përshëndet edhe nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili ka publikuar disa fotografi nga aksionet e mbjelljes së fidanëve në Qafë-Shtamë, pastrimi në Kepin e Rodonit dhe në aksin Krujë-Fushë-Krujë.

“Aksione pastrimi në Kepin e Rodonit,në aksin rrugor Krujë – Fushë-Krujë, si edhe mbjellja e fidanëve të parë për këtë sezon në Parkun Kombëtar të Qafështamës. Ditë të ngarkuara pune për stafin e zonave të mbrojtura Durrës, shkollat e komunitetit dhe aktivistët e mjedisit, të cilët punuan të gjithë bashkë, për një Shqipëri të pastër turistike”, shprehet Klosi.

Zona e Mbrojtur e Parkut të Qafë-Shtamës që ka një frekuentim gjithëvjetor, ka një sipërfaqe prej rreth 20 km2, e shpallur si e tillë prej vitit 1966. Ajo gjendet rreth 25 km në verilindje të qytetit të Krujës. Ky park, prej kohësh ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve, si vend kurativ dhe turistik.

Ajo çfarë e dallon Parkun Kombëtar të Qafë-Shtamës është masivi i Pishës së Zezë dhe Ahut, duke ofruar një peizazh të gjelbërimit të përhershëm të pishës dhe bukurisë natyrore të ndërthurur me ahun.