Nga Seria C në Seria A, ngjitja e frikshme e “Skënderbeut” kuqezi

Mbiemri Dermaku, nga mitologjikja te humoristikja që të fut pak frikën. Emri, Kastriot, ka një shpjegim të veçantë e të saktë. “Kujton Gjergj Kastriotin, i njohur si Skënderbeu, një luftëtar që zmbrapsi pushtimin e gjatë të Perandorisë Osmane. Në Shqipëri ai konsiderohet një hero, dhe madje Kisha e ka njohur atë si të tillë”, thotë Kastriot Dermaku, me pasaportën e dyfishtë italo-shqiptare, por i lindur në Skandiano, në Reggio Emilia.

 

Ai është futbollist dhe e bëri debutimin në Serie A me Parmën vetëm disa ditë më parë, në moshën 27 vjeç. I gjatë 1.94 metra, plot muskuj, ai lufton fort në fushë. Është si një shkëmb graniti.

“Unë nuk kam modele, më pëlqen të shoh shumë lojëra dhe të kuptoj se si luajnë mbrojtësit e një niveli të caktuar. Deri tani jam përpjekur gjithmonë të frymëzohem nga njerëzit pozitivë që kam takuar gjatë udhëtimit tim. Në Serie C1, te Cosenza, luaja duet me Loviso, ose me Pascali. Ne gjithmonë qëndronim bashkë gjysmë ore, apo një orë pas stërvitjes për të kuptuar se çfarë duhet të përmirësonim, në cilat pika mund të rriteshim. Kapërcimi i duhur, për aq sa unë jam i interesuar, erdhi pikërisht në ato vite, kur u mora me burra të vërtetë. Është e rëndësishme që një lojtar të njohë drejtuesit e një dhome zhveshjesh dhe të shkojë pas tyre deri në vdekje… Unë ende dëgjohem me Pascali shumë shpesh, shkëmbejmë mendime dhe këshilla.

Te Parma, është Bruno Alves, nga i cili nuk heq dorë asnjë sekondë së mësuari: “Ne flasim shpesh, përpiqem të mësoj sa më shumë prej tij, të rritem nga të gjitha pikëpamjet. E pyes edhe për detajet jashtë fushës, si ushqimi, rimëkëmbja dhe pushimi. Ato janë gjëra të vogla, por e bëjnë ndryshimin në planin afatgjatë. Ato të rrisin jetëgjatësinë në futboll, sikurse ndodhi me Bruno Alves, i cili luan në nivele të larta edhe 37 vjeç. Kam një marrëdhënie të shkëlqyeshme me të gjithë shokët e tjerë të repartit të mbrojtjes, veçanërisht. Jam në dhomë me Gagliolo, me të cilin e krahasoj veten shpesh”.

Ngjitja e “Kas”, siç e quajnë të gjithë, fillon nga larg. Saktësisht … “nga Serie C2, kur luajta te Melfi! Është një rrugë, që dua t’ia dedikoj mbi të gjitha vetvetes, sepse kam hasur kaq shumë vështirësi, por kurrë nuk kam hequr dorë. Dhe pastaj familjes time, që më ka mbështetur gjithmonë. Kam besuar gjithmonë në veten time. E di që nuk kam bërë akoma asgjë, ndaj më duhet të jem i përqendruar, sepse është gjithmonë e vështirë të konfirmohesh në futboll. Kjo është rruga. Falënderoj trajnerin D’Aversa për besimin që më ka dhënë gjithmonë, nga ditët e para të ardhjes këtu; të drejtorit Faggiano, të cilit trajneri i Melfi, Leonardo Bitetto, i kishte raportuar disa vite më parë”.

I pëlqen të lexojë, flet mirë anglisht, italisht dhe shqip. Po ashtu, ka qejf të udhëtojë: “Vëllai im jeton në Londër, babai në Neë York, nëna ime në Kosovë. Jam i kënaqur, që rreth meje ka njerëz që më njohin që kur e nisa nga asgjëja. Unë isha askushi, ndaj preferoj të shihem si një djalë i thjeshtë, jo futbollist i sprovuar. Mësoj nga jeta, nga e përditshmja që më rrethon”.

Dermaku më pas ka komentuar edhe ftesën e parë në kombëtare, e cila erdhi nga Christian Panucci: “Ai më thirri kur luaja në Serie B. Një trajner italian, një mbrojtës shumë i forte. Vlerësimi i tij ishte një nder. Panucci më hapi një botë të bukur, që është ajo e kombëtares. Ne po krijojmë një grup të mirë dhe shpresojmë të arrijmë synime në të ardhmen, ashtu siç bëri grupi i vjetër i lojtarëve, që u kualifikua në Europianin e vitit 2016. Tani kemi trajner Edy Reja. Stafi i tij është shumë i përgatitur, po na jep një dorë të madhe. Jam i sigurt se do të jemi në gjendje të arrijmë gjëra të mira me kombëtaren e Shqipërisë”