Ndoka: Protesta, nëse Rama nuk plotëson 9 kushtet e Bundestagut

Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, tha se nëse kryeministri Rama nuk do të ketë dakordësi për plotësimin e kushteve të Bundestagut, atëherë protestat e opozitës do të vijojnë. Në një intervistë për Report Tv, Ndoka u shpreh se protesta është një armë në duart e qytetarëve për të treguar pakënaqësitë e qytetarëve ndaj qeverisë Rama. Kreu i PDK tha se kushtet e Bundestagut dhe qëndrimi i Francës për shtyrjen e negociatave ishin një goditje e fortë për Ramën, si një mesazh i cili kërkon reflektim në formën e qeverisjes së vendit.

“Lideri i opozitës Basha në të gjitha kontaktet ndërkombëtare ka kërkuar hapjen e negociatave. Ato kushte që u vendosëm nga Bundestagu ishin të rëndësishme edhe për opozitën. Ne nuk kemi një PO nga Gjermania, por hapi një dritë jeshile, që pas plotësimit të 9 kushteve mund të hapen negociatat. Protesta është një armë në duart e qytetarëve.  Nuk është e thënë që me protesta Rama nuk rrëzohet. Mund të ketë protesta të fuqishme që mund të rrëzojnë atë. Ne kemi një kryeministër që nuk ndikohet fare nga gjendja ekonomike e vendit. Ne nuk shohim që do të reflektojë. Pati një goditje edhe nga presidenti francez. Faktori ndërkombëtar nuk mund të godasë drejtpërdrejtë por mesazhi ishte i qartë që detyrimet nuk janë plotësuar. Është fati i madh që Bundestagu Gjerman janë në unison sa i takon 9 pikave. Politikat gjermane kanë një standard tjetër”, u shpreh Nard Ndoka.

Ndoka tha se duhet një ndryshim i menjëhershëm i sistemit zgjedhor, ndërsa u shpreh se zgjidhja më e mirë e krizës politike dhe ngërçit ku ndodhet vendi do të ishte zhvillimi i dy palë zgjedhjeve brenda një dite.

“Unë e kam kundërshtuar këtë sistem që kemi. Sot kemi emergjencë organizimin e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale. Duhet një debat i thellë për ndryshimin e sistemit. Nëse do kemi së bashku dy palë zgjedhje do ishte një gjë shumë e mirë. Janë të qarta tashmë edhe interferimet e ndërkombëtarëve. Nëse gjykatat e tjera kanë pasur ndikim nga korrupsioni, kushtetuesja nuk ka qenë nën këtë presion”, deklaroi Ndoka.